Këngëtari dhe producenti i famshëm amerikan R Kelly, po përballet me një seri akuzash për përdhunim dhe ngacmime seksuale. “BBC” shkruan se 10 akuza janë ngritur drejt tij dhe të paktën 9 prej tyre përfshijnë denoncues të mitur.
Ylli i muzikës R & B, emri i vërtetë i të cilit është Robert Sylvester Kelly, është përballur për dekada me radhë me akuzat për abuzim seksual ndaj grave dhe adoleshentëve.
Por ai kurrë nuk është dënuar dhe i ka mohuar më parë pretendimet e tjera.
Mirëpo së fundmi një urdhër arresti u lëshua për 52-vjeçarin dhe këngëtari u dorëzua vetë në polici të premten mbrëma në Çikago.
Avokati i tij thotë se është i “tronditur”. Steve Greenberg i tha “The Associated Press” se klienti i tij ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer dhe i dëshpëruar” nga akuzat dhe se është i pafajshëm.
Aktakuza vjen vetëm disa javë pasi u transmetua një seri dokumentare e quajtur “Surviving R Kelly”, apo “Duke i mbijetuar R Kelly-t”.
Dokumentari përmbante dhjetëvjeçarë me akuza për abuzim ndaj këngëtarit, madje një nga denoncueset ishte edhe ish-bashkëshortja e tij.
Cilat janë akuzat?
Prokurorët në County Cook njoftuan të premten akuzat e rënda penale për abuzimin seksual, duke përfshirë katër viktima.
Denoncueset thonë se veprimi i abuzimit ndodhi ndërmjet viteve 1998 dhe 2010.
Në dokumente thuhet se të paktën tre nga viktimat ishin të moshës midis 13 dhe 16 vjeç në kohën kur sulmet kanë ndodhur.
Prokurori Kim Foxx tha se këngëtari mund të përballet me një maksimum prej shtatë vjet burg për secilën akuzë.