Banorët e Unazës së Re kanë dalë sot në protestë në ditën e 112-të të qëndresës.
Pavarësisht se punimet janë ndërprerë aktualisht, sërish ata nuk e ndalin protestën e tyre duke kërkuar anulim të projektit.
Në fjalën e tyre ata kanë bërë thirrje për hetimi e ish-ministrit të Transporteve, Gjiknuri, dhe nëndrejtorit të ARRSH-së, Qendro.
“Të anulohet projekti. Edi Rama të dorëhiqet pasi është kapur në skandale. Nuk e përfaqëson më popullin. Po prish banesat tona për të ndarë lekët me oligarkët.”
Banorët kanë tashmë gati 4 muaj që protestojnë çdo ditë në rrugë duke bllokuar qarkullimin ndërsa kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend ta ndalin protestën deri në anulimin e projektit dhe deri në vënien para drejtësisë të përgjegjësve.