Zëvëndëskryeministri irlandez, Simon Coveney, bëri publik legjislacionin që vendi i tij e ka përgatitur për të menaxhuar një Brexit pa marrëveshje.
Megjithatë, ai tha se shpreson të mos ketë nevojë përdorimi i tij.
Nëntë departamente qeveritare kanë punuar për përpilimin e legjislacionit që mund të përdoret në rast se Britania nuk arrin të miratojë një marrëveshje të re të Brexit-it pasi ajo paraprake nuk u votua nga parlamenti.
Zëvëndëskryeministri irlandez, tha se një Brexit i “çrregullt” do të ishte një “humbje” për Britaninë e Madhe, BE-në dhe Irlanden.
“Qëllimi i këtij legjislacioni është të sigurojë një tranzicion të qetë, nëse Britania largohet nga BE-ja pa një marrëveshje”, tha Coveney.
Kryeministrja britanike, Theresa May, tha ditë më parë se do të dërgojë për votim në parlament një marrëveshje të rishikuar të Brexit-it, sa më parë që të jetë e mundur. Megjithatë, ajo tha se kjo do të ndodhë pasi të sigurohen ndryshimet e marrëveshjes nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, Bashkimi Evropian tha se ka pak shpresë se mund të ndryshojë diçka nga bisedimet të cilat kryeministrja britanike Theresa May do t’i zhvillojë me zyrtarët e BE-së.
Kryeministrja May po përpiqet të dakordohet për disa ndryshime në pjesën e marrëveshjes që lidhet me të ashtuquajturën “backstop” që ka të bëjë me masat mbrojtëse në kufirin irlandez.