Dje, në orën 19:29, Partia Demokratike shpërndau një njoftim në grupin e “Whatsup”-it, ku ka gjithë gazetarët që mbulojnë zhvillimet në këtë parti.
Njoftimi tingëlloi i çuditshëm, sepse nuk ishte fjala vetëm për përgënjeshtrim për disa medie në Shqipëri, por në trupin e mesazhit përmendej “Russia Today”. Sipas PD-së, disa medie në vend kishin përhapur lajmin se kryedemokrati Lulzim Basha kishte dhënë një intervistë për një medie ruse.
Thuhej në mesazhin e përgënjeshtrimit:
“Përgënjeshtrim
Disa media kanë keqinformuar opinionin publik sot sikur Kryetari i PD Lulzim Basha ka dhënë intervistë për Russia Today. Kjo është e pavërtetë. Kryetari Basha është intervistuar nga “Associated Press” dhe jo nga Russia Today.”
Por, për cilat medie e ka fjalën Partia Demokratike?
Nga një kërkim i thjeshtë rezulton se media që ka publikuar një lajm të tillë është pikërisht “Agjencia Telegrafike Shqiptare”, e drejtuar nga ish-zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj.
Ky lajm (lexo KËTU origjinalin), edhe disa orë më pas, nuk është fshirë, edhe pse në të është pasqyruar reagimi i PD-së.
Shkruan “ATSH”:
“Televizioni rus ka publikuar në edicionin e përditshëm informativ një lajm për situatën politike në Shqipëri, protestat e organizuara nga opozita ditët e fundit dhe dorëzimin e mandatave në Parlament.
Në intervistën e publikuar në televizionin rus, Basha deklaron se djegia e mandateve ka të bëjë me faktin që sipas tij, parlamenti është zgjedhur jo me votat e popullit, por ato të krimit të organizuar.
“Parlamenti ynë nuk është produkt i votës së popullit, por siç është bërë e ditur nga përgjime të Prokurorisë të publikuara nga një medie ndërkombëtare është produkt i krimit të organizuar që ka bashkëpunuar me qeverinë aktuale”, deklaroi Basha për “Russia Today”.”
Nga një kërkim i thjeshtë në “RT”, rezulton se dy ditë më parë është shkruar për situatën në Shqipëri, por Basha nuk ka dhënë ndonjë intervistë.
Shkruan “RT”:
“Deputetët e opozitës shqiptare heqin dorë nga mandatet në tubim, kërkojnë zgjedhje të menjëhershme
Ligjbërësit shqiptarë të opozitës thanë në një tubim të enjten se ata do të heqin dorë nga mandatet e tyre në parlament dhe do të kërkojnë zgjedhje të menjëhershme. Tubimi paqësor kulmoi me një marshim të udhëhequr nga kreu i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, për të dorëzuar deklaratat e nënshkruara nga ligjvënësit duke hequr dorë nga mandatet e tyre, raporton Reuters. Sesioni i parlamentit të enjten ishte anuluar nga frika se turma do të detyronte rrugën e saj në ndërtesë. Të shtunën, protestuesit dhunuan derën e jashtme të zyrës së Kryeministrit Edi Rama në një sulm katër-orësh. Zyrtarët evropianë dhe amerikanë i kërkuan opozitës dhe qeverisë të enjten që të shmangin dhunën dhe të tregojnë përmbajtje.”
Nga vazhdimi i kërkimit, rezulton se në të gjitha rastet kur është përmendur Basha “RT” u është referuar agjencive të tjera, si “Reuters” apo “Associated Press”, për citime të Bashës, siç e tregon dhe ky link.
Nuk ka asnjë fakt se kush mund ta ketë nxitur këtë lajm në “ATSH”, ashtu siç dihet se nuk bëhet fjalë për një gabim redaksional. Po të qe i tillë do ishte fshirë menjëherë./Hashtag.al