Banorët e Bregut të Lumit kanë vendosur t’i mbrojnë me çdo kusht banesat e tyre. Ata janë njoftuar sot nga Bashkia dhe INUV-i që të lirojnë banesat që do prishen në kuadër të zgjatimit të Bulevardit të Ri.
Ata janë mbledhur në rrugën kryesore që të çon te banesat e tyre dhe deklarojnë se nuk do i lëshojnë banesat deri në marrjen e dëmshpërblimit për to.
Bëhet fjalë për më shumë se 40 banesa që preken nga prishja, për të cilat atyre nuk u është ofruar asnjë qindarkë, ndërkohë që dy lotet e tjera të Bulevardit janë dëmshpërblyer plotësisht për banesat dhe pronat e prishura edhe pse kanë qenë të palegalizuara.
Ata i bëjnë thirrje kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj që të tërheqin fadromat dhe policët nga banesat e tyre pasi do vetëflijohen dhe se nuk kanë ndërmend t’i lëshojnë ato pa dëmshpërblim.
“Ne e marrim bukën me listë. Si mund të na prishësh banesat. Ku do shkojmë ne bashkë me fëmijët. Le të na dëmshpërblejnë siç kanë bërë me banorët e dy loteve të tjera. Edi Rama që thotë do kujdesem për njerëzit po na çon fadromat me na prish banesat. As serbi nuk e ka bërë këtë që po bën ky kryeministër dhe ky kryetar bashkie. U bëjmë thirrje të qëndrojnë larg shtëpive tona sepse nuk kemi ndërmend me i lëshu.” – deklarojnë banorët.