Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka rrëmbyer mikrofonin dhe ka folur para protestuesve, pavarësisht se policia ka hedhur disa herë gaz lotsjellës duke shpërndarë protestuesit.
“Edi Rama megjithë Gramoz Ruçin. Në qoftëse doni të fusni fshehurazi në Parlament Edi Ramën, si frikacak që është, nuk ka nevojë të hidhni gaz lotsjellës, por le të vijë e të përballet këtu me gratë dhe vajzat e Tiranës. Nga ty Musa Ulqini, nga ty Anastas Angjeli, për ty Mimi Kodheli, për ty Klotilda Bushaj, për ju gratë e Partisë Socialiste që turp më të madh nuk ka.
Dita nuk mbaron sot. Dita do vazhdojë pafundësisht. Por turpi mbi shpatullat tuaja dhe mbi fytyrat tuaja nuk do të ketë fund. Hidhni gaz lotsjellës sa të doni. Por ju kurrë nuk do të ndaloni dot urrjetjen që kanë krijuar shqiptarët për qeverinë e Dakos, Abdylajve dhe gjithë të tjerëve. Ne prapë do të rrimë këtu, ju prapë do hidhni gaz lotsjellës. Por ju nuk do të ndaloni dot kurrë mallkimin e shqiptarëve, të cilët çdo ditë e më shumë do mallkojnë ju që helmoni shqiptarët dhe që vidhni shqiptarët. Mblidhuni të gjithë këtu. Ne nuk do të ikim, derisa të na shohin në sy deputetët që kanë ardhur me votat e krimit të organizuar”– tha Kryemadhi.