Është arrestuar autori i dyshuar i vrasjes së 45-vjeçares Lirie Xhepa, pranë liqenit të Sharrës. Dashamir Xhepa, kunati i viktimës u arrestua në peshkopi, ku po fshihej.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 13 shkurtit pranë liqenit të Sharrës, ku banorët e zonës gjetën pran disa shkurreve trupin e Lirie Xhepës.
Ajo ishte qëlluar me 3 plumba dhe përveç kësaj kishte edhe dëmtime të tjera në kokë dhe fytyrë, si pasojë e goditjeve me mjete të forta.
“Kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetases L. Xh., ngjarje e ndodhur më 13 shkurt 2019, pranë kodrave të liqenit të Sharrës.
Në pranga dhe një tjetër shtetas për “Përkrahje të autorit të krimit”.
Shërbimet e Policisë Tiranë, pas identifikimit të autorit të dyshuar të vrasjes së shtetases L. Xh., janë vënë në ndjekje intensive të tij. Në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative shërbimet e Policisë lokalizuan vendodhjen e autorit të dyshuar, shtetasit D. Xh., dhe bënë kapjen dhe arrestimin e tij në qytetin e Peshkopisë ku dhe strehoej.
Gjithashtu u arrestua dhe shtetasi M. S., për “Përkrahje të autorit të krimit”, i cili ka ndihmuar dhe strehuar autorin e dyshuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Armëmbajtje pa leje”, në ngarkim të shtetasit D. Xh., dhe për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, në ngarkim të shtetasit M. S.” – thuhet në njoftimin e policisë.