Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa reagon këtë të martë lidhur me qëllimet e Serbisë dhe veprimet e saj, duke shkruar se ky shtet po krenohet me dëmet në arenën ndërkombëtare.
“Veprimet e Serbisë, sidomos fushata për ç‘njohjen e pavarësisë së Kosovës nga disa vende, sikurse edhe fushata kundër Kosovës për anëtarësim në Interpol, flet se ky shtet fqinj nuk është i interesuar të normalizojë marrëdhëniet me vendin tonë e aq më pak ta njoh shtetin e Kosovës.
Sërbia po krenohet me dëmet që po na i shkakton në arenën ndërkombëtare.”, thekson kreu i LDK-së së Kosovës.
Sipas tij politikat e fqinjësisë së mirë, paqës dhe stabilitetit, për të cilat janë zotuar vendet e Ballkanit Perëndimor bien ndesh me një sjellje të tillë.
“Kjo sjellje nuk ka asgjë të përbashkët edhe me kërkesën e BE-së dhe SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohje reciproke.
Prandaj do të ishte mirë të lihet anash mentaliteti i trashëguar armiqësor dhe të punohet për të kultivuar një mjedis në të cilin punojmë për prosperitet të qytetarëve tanë.”, thotë Mustafa.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditë më parë tha se në fund të këtij viti beson që do të jetë arritur marrëveshja historike me Serbinë.
Thaçi u shpreh se taksa e vendosur ndaj Serbisë duhet të pezullohet.
“Nuk ka çmim që do të mund të cenojë partneritetin e popullit të Kosovës me SHBA. Mund të jetë cenim i qeverisë amerikane në raport me ndonjë politikë të gabuar të qeverisë së Kosovës”-deklaroi Thaçi.