India njoftoi se ka kryer sulme ajrore në një kamp trajnimi terrorist përgjatë Linjës së Kontrollit (LoC), në kufirin “de facto” mes Indisë dhe Pakistanit në rajonin e kontestuar të Kashmirit, në një përshkallëzim të rrezikshëm ndërmjet dy fuqive bërthamore.
Sulmi i ushtrisë indiane u krye në orët e para të mëngjesit të së martës dhe erdhi si përgjigje ndaj asaj që India tha se kishte “prova nga shërbimet inteligjente” për sulme të mundshme terroriste, tha sekretari i jashtëm i Indisë, Vijay Gokhale, të martën në New Delhi.
Gokhale tha se kampi i dyshuar drejtohej nga Jaish-e-Mohammed, një grup të cilin India e fajëson për një sulm me bombë në Pulwama në Kashmirin e administruar nga India, ku u vranë 40 ushtarë paramilitarë indianë më 14 shkurt.
Pas njoftimit nga zyrtarët indianë, ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, paralajmëroi Indinë të mos e sfidojë Pakistanin.
Në një deklaratë të martën, Qureshi tha se India duhet t’i thërrasë arsyes, pasi forcat e armatosura të Pakistanit ishin “plotësisht të përgatitur për t’iu përgjigjur çdo aventure indiane”.
Përgjigja e Indisë erdhi orë pasi një zëdhënës i Forcave të Armatosura të Pakistanit deklaroi se avioni ushtarak indian hyri në hapësirën ajrore të Pakistanit, por u zmbraps.
Gjeneral Majori pakistanez, Asif Ghafoor, pretendoni se avionët indianë kaluan Linjen e Kontrollit (LoC) dhe u por përzunë nga aeroplanët e Forcave Ajrore të Pakistanit që fluturuan menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Avionët indianë u përzunë nga sektori i Muzafarabadit. Duke u përballur me reagimin në kohë dhe në mënyrë efektive nga Forcat Ajrore të Pakistanit, ata e lëshuan ngarkesën me shpejtësi dhe në nxitim e sipër, ngarkesë që ra në Balakot”, tha Ghafoor në një deklaratë të postuar në llogarinë e tij zyrtare në “Tëitter”.
Ai shtoi se nuk kishte viktima, as ndonjë dëmtim të pasurisë ose aseteve pakistaneze gjatë incidentit.
Tensionet në rritje
Në deklaratën të bërë të martën, India tha se “një numër shumë i madh” i militantëve u “eliminuan” në operacionin ajror. Besohet se kampi i dyshuar ishte një objekt trajnimi ushtarak i kryesuar nga Maulana Yousuf Azhar, vjehrri i Masood Azhar – shefi i Jaish-e-Muhamedit.
India kishte pohuar më parë se kishte “prova të pakundërshtueshme” se Pakistani kishte “përfshirje të drejtpërdrejtë” në sulmin me bombë në Pulwama.
“Është një fakt i mirënjohur se Jaish-e-Mohammed dhe udhëheqësi i tij Masood Azhar janë të vendosur në Pakistan. Këto duhet të jenë dëshmi e mjaftueshme për Pakistanin për të ndërmarrë veprim.” tha Ministria e Jashtme e Indisë në një deklaratë të bërë më 19 shkurt.
Pas sulmit, India premtoi hakmarrje, duke përfshirë hapa tregtarë dhe diplomatikë për “izolimin” e Pakistanit ndërkombëtarisht.
Pakistani nga ana e tij e ka mohuar me forcë që të ketë një rol në sulmet.
Historia e trazuar
Kashmir, një rajon kryesisht malor i vendosur midis Indisë dhe Pakistanit, ka patur një histori të trazuar.
Rajoni është pretenduar nga India dhe Pakistani pas ndarjes së dy vendeve në vitin 1947, duke çuar në tre luftëra dhe përplasjesh të tjera të shumta.
Sulmi i muajit shkurt erdhi pak më shumë se dy vjet, pasi militantët e armatosur hynë në një bazë ushtarake indiane në garnizonin e qytetit të Urit, rreth 63 kilometra nga Srinagari, duke vrarë 18 vetë.
India më vonë tha se kishte përdorur trupa tokësore për të sulmuar objektiva terroristë në të gjithë Linjën e Kontrollit (LoC) si përgjigje ndaj sulmit të Urit, diçka që Pakistani e mohoi.
Disa ditë pas sulmit të muajit shkurt, katër ushtarë të ushtrisë indiane u vranë në një përleshje me militantë në rrethin e Pulsamas të Kashmirit të administruar nga indianët.
Dhuna separatiste në rajon u ka kushtuar jetën më shumë se 47.000 personave që nga viti 1989, edhe pse ky numër nuk përfshin njerëzit që janë zhdukur gjatë dhe për shkak të konfliktit. Disa grupe të të drejtave të njeriut dhe organizata joqeveritare pretendojnë se numri i vdekjeve është dyfishi i atij zyrtar.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN