Një 27-vjeçar është ekzekutuar në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 11:30 dhe sipas policisë, i riu është qëlluar me armë teksa po lëvizte me mjetin e tij në rrugën “Haxhi Zeka”.
Sipas dëshmitarëve, që citohen nga Lajmi.net, autorët e dyshuar kanë qenë brenda një mjeti me ngjyrë të zezë dhe e kanë pritur të riun që është identifikuar si Abid Jashari duke e qëlluar dhe duke e lënë të vdekur në vend.
Fillimisht u raportua për plagosje por më pas policia pohoi se viktima kishte humbur jetën në vend. 27-vjeçari kishte jetuar më herët në Gjermani.
Jashari ishte pronar i një kazinoje në Prishtinë ndërsa Lajmi.net citon disa dëshmitarë që kanë pohuar se ai kishte probleme me njerëzit e bashkëshortes, të cilët pak kohë më parë i kishin grabitur kazinonë.
“Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit është plagosur një person, i cili po qarkullonte me veturën e tij në rrugën e sipërshënuar. Ai nuk i ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.” – ka thënë zëdhënësi i policisë së Kosovës, Agim Borovci.