Autoritetet hungareze i kanë ndërprerë hetimin ndaj ish-kryeministrit në arrati, Nikolla Gruevski, njofton portali hungarez 444.xy.
Sipas informatave, u konstatua se Gruevski kishte dokumente të vlefshme udhëtimi gjatë kalimit të tij në kufirin Hungari-Serbi dhe në pikat e tjera kufitare. Rrjedhimisht, hyrja e Gruevskit në zonën Shengen është në përputhje me të gjitha ligjet.
Siç transmetojnë mediat hungareze, Gruevski gjatë hyrjes në Hungari nuk ka realizuar asnjë shkelje ligjore.
Gruevski paraprakisht deklaroi se ka pasur dokumente udhëtimi të ligjshme, si edhe se në Hungari, ku ka marrë azil, ka ardhur përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
“Gjatë hetimit është përcaktuar se Gruevski ka poseduar dokumente udhëtime të ligjshme në kufirin e Hungarisë me Serbinë dhe në vendkalimet e tjera kufitare si dhe se hyrja e tij në Zonën e Shengenit ka qenë në pajtim me rregullat ligjore”, thuhet në raportin policor hungarez me të cilin është mbyllur hetimi për rastin.
Sipas raportit të Sektorit policor të Hungarisë për Migrim Ilegal, në rastin e Gruevskit nuk është evidentuar kalim i paligjshëm i kufirit edhe pse, siç njoftojnë mediat hungareze, nuk është saktësuar se me cilat dokumente kishte udhëtuar ai, duke pasur parasysh se gjykata e Shkupit ia konfiskoi pasaportën.
Gruevski pohon se e ka braktisur vendin për shkak të kanosjeve dhe përndjekjes politike.