Vendosni fjalën kyçe....

KLP-ja e re me huqe të vjetra


Nga Flamur Vezaj

Një nga arsyet pse ndërkombëtarët ndërmorën iniciativën për ndryshimet ligjore që tashmë njihen si “Reforma në Drejtësi” ishte edhe mungesa e transparencës. Në atë kohë të gjithë institucionet e drejtësisë, u kritikuan për mungesë transparence qoftë në zhvillimet e proceseve gjyqësore me dyer të mbyllura, vendimarrjet apo edhe mbledhjet e këshillave të ndryshme të drejtësisë që bëheshin në mungesë të plotë të transparencës me publikun!

Kështu që me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve u krijuan grupet e punës dhe pas shumë debateve, akuzave e problemeve politike u arrit të votohet “Reforma në Drejtësi” edhe pse për disa pika unë vazhdoj të them se nuk është arritur qëllimi i duhur! Kështu pas zvarritjeve nga qeveria të krijimit të institucioneve të “pavarura” Kushtetuese për disa vite, më në fund u gjet “formula magjike” dhe u krijuan KLP-ja dhe KLGJ-ja!

Edhe krijimi i tyre mendoj se është bërë me nxitim, pasi disa anëtarë të këtyre këshillave nuk kanë kaluar vettingun në formën e prerë dhe mendoj që ky është një problem, pasi nuk mund të kërkojnë si kriter që kandidatët për SPAK të kalojnë formën e prerë nga vettingu!! Por pavarësisht këtyre problemeve, anëtarët e KLP-së në mbledhjen e fundit morën një vendim të turpshëm! Po po të turpshëm dhe që hedh poshtë të gjithë këtë gjasme reformë, duke mbyll dyert për publikun dmth median! Kjo mbyllje na qenka justifikuar me faktin se “cënohet privatësia e subjekteve”! Për cilën privatësi bëhet fjalë, ku të gjithë kandidatët që do përballen në KLP supozohen se i janë nënshtruar procesit të vettingut dhe gjithçka është publike, pasuria etj etj! Mendoj se nuk është kjo arsyeja, por janë debatet dhe vendimarrja e tyre për kandidatët e SPAK-ut! Siç duket këta anëtarë, nuk duan që të merret vesh se çfarë pyetje bëjnë, debatet mes tyre për kandidatët dhe cili do jetë vendimi i tyre për kandidatët specifikë për në SPAK! Kjo mendoj se i ka shtyrë anëtarët e KLP-së (që për disa vazhdoj të kem respekt) që të mbyllin dyert për mediat duke shprehur kështu që në fillimet e saj një mungesë të transparencës!

Por nuk është vetëm ky problemi i KLP-së! Ata, pak kohë më parë hapën procedurën dhe shtuan disa kritere (veç ato të ligjit) për kandidatët që duan të konkurojnë në SPAK! Në mesin e kritereve është edhe fakti që “kandidatët duhen të kenë qenë pjesë e task-forcave dhe Prokurorisë për Krime të Rënda”!! Kjo përsëri bie ndesh me qëllimin e reformës në drejtësi, pasi ky kriter së pari, përjashton nga kandidimi të gjithë ata juristët që janë dhe kanë qenë jashtë sistemit të prokurorisë e që duan të bëhen pjesë e SPAK-ut. Meqenëse është folur shumë se ky sistem i prokurorisë është i korruptuar! Dhe e dyta, përjashtohen për të qenë pjesë e SPAK-ut ata prokurorë që nuk kanë punuar pranë task-forcave apo Prokurorisë për Krime të Rënda!? Dihet tashmë, sidomos nga vetë prokurorët dhe gazetarët, që ata që kanë punuar pranë task-forcave dhe Prokurorisë për Krime të Rënda (90 % e tyre) kanë qenë të njohur të shefave (shok e shoqe) ose kishin një suport politik që ata kanë bërë karrierë në këto njësi të veçanta! Pra përsëri ata prokurorë që nuk kishin njohje dhe që nuk janë promovuar ndonjëherë në këto njësi, mbesin jashtë kandidimit për në SPAK! Kështu që mendoj se ky kriter, duhet hequr dhe t’i hapet rrugë secilit që plotëson kushtet e parashikuara në ligj dhe më pas të vlerësohen nga KLP-ja! Pasi më lind e drejta të mendoj, se anëtarët e KLP-së sidomos ata të zgjedhur nga prokurorët duan të promovojnë vetëm ata me të cilët kanë punuar (shokë e shoqe) pranë njësive të task-forcave apo edhe krimeve të rënda!

Duke parë dhe gjykuar këto vendimarrje të anëtarëve të KLP-së mendoj se ky institucion i “pavarur” nuk e ka nisur siç duhet punën e tij, duke u bërë pengesë që në fillim për një reformim të institucionit të akuzës! Veç kësaj duke parë edhe emrat që janë në këtë këshill, disa prej tyre të konsumuar prej vitesh me detyrat që kanë mbajtur dhe nuk pres të shkëlqejnë tani apo të rregullojnë këtë sistem!

Por jo vetëm këta anëtarë të KLP-së por edhe disa nga kandidatët për në SPAK, për të cilët do të bëj një skanim në ditët në vazhdim, lënë shumë për të dëshiruar sidomos për të kaluarën e tyre korruptive apo edhe për aspektin profesional! Mos mbyllni dyert!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *