Vendosni fjalën kyçe....

Komunitetet fetare thirrje politikës shqiptare: Po dëmtohet rëndë imazhi i Shqipërisë para botës


Komunitetet fetare në Shqipëri kaë bërë një deklaratë publike lidhur me situatën e fundit politike në vend.

Ata kërkojnë dialog mes palëve politike për zgjidhjen e krizës në vend ndërsa theksojnë se situata e krijuar po ndikon në aspektin ekonomik, social si dhe po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë para botës.

Deklarata e plotë

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), po ndjekin me shqetësim situatën politike në vendin tonë, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në aspektin social, ekonomik dhe në të ardhmen e rinisë sonë, duke krijuar një gjendje të pasigurtë dhe duke cenuar shpresën e një populli të vuajtur, por vital e të fortë përballë sprovave me të cilat është përballur historikisht.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bën thirrje politikës shqiptare për dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe për zgjidhje të konfliktualitetit të tejzgjatur, i cili po thellon dhe më shume varfërinë e shqiptareve, ikjen e tyre, dobësimin e institucioneve demokratike në vendin tonë, si dhe po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë përpara botës.

Ne të gjithë së bashku, duhet të këmbëngulim fort te virtyti i shpresës, që po plagoset dita ditës, duke i bërë thirrje të gjithë faktorit politik të lërë mënjanë dhunën verbale apo fizike, përçmimin e kundërshtarit politik, e të gjejnë medoemos zgjidhje në dobi të të gjithë shoqërisë shqiptare, të atyre nënave dhe baballarëve fisnikë, që ushqyen brezat me dashurinë e shenjtë për këtë tokë, e sidomos të rinisë sonë, e cila meriton një vend me një të ardhme shpresëplotë.

Lusim Zotin për më shumë dashuri, mirëkuptim e bashkëpunim.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin tonë.

Me respekt,

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë

Tiranë, 27 shkurt 2019

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *