Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim i janë përgjigjur reporterit për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, i cili gjatë konferencë për shtyp, si pjesë e delegecionit të BE-së, tha se kishte mbetur i zhgënjyer nga kryetarja e LSI-së, Kryemadhi.
“Ne presim që deputetët të shkojnë në vendin e tyre të punës dhe të bëjnë detyrën. Ne besojmë se ky parlament do vazhdojë edhe me deputetë të tjerë, të shohim si do ecë procesi. Djegia e mandateve nuk është gjë pozitive. Ne i kuptojmë nga njëra anë, argumentet e tij por edhe sikur opozita të ketë krejtësisht të drejtë lidhur me akuzat e saj, bojkoti nuk i zgjidh aspak problemet. U zhgënjeva shumë nga kryetarja e LSI-së, sepse ajo tha vetëm një fjali në fund. Ajo tha se në Shqipëri ka nevojë për ndryshim pushteti dhe nëse evropianët nuk e kuptojnë këtë, nuk është problemi ynë.” – tha Fleckenstein gjatë konferencës për shtyp.
Kryemadhi reagoi menjëherë pas kësaj deklarate duke shkruar në faqen e saj në “Facebook”: “Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. Ky është misioni ynë, asnjë hap pas.”
Reagime ka pasur edhe nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Vasili dhe deputetët e tjerë të kësaj force politike. Në një deklaratë për media nga selia e kësaj force politike, Vasili theksoi se votat në Shqipëri janë blerë dhe kjo është tashmë e faktuar.
Ndërsa shtoi se opozita do përpiqet që t’ua qartësojë shikimin lidhur me të gjitha skandalet e qeverisë.
“Vota në Shqipëri është blerë nga krimi dhe fajtorët i njeh gjithë Shqipëria. Çudi që zyrtarët e BE-së nuk kanë dëgjuar për “Dosjen 339”, e cila mbahet e bllokuar. Unaza e Re është një skandal me përmasa ndërkombëtare. Nuk e shohin zytarët e PE-së se kanë shikim të turbulluar, por ne do mundohemi t’ua qartësojmë shikimin. Asnjë standard që është i papranueshëm për Evropën nuk mund të jetë i pranueshëm për Shqipërinë. Korrupsioni siç luftohet në Gjermani do të luftohet edhe në Shqipëri. Opozita do ketë gjithmonë një shami në dorë për të pastruar sytë e turbulluar të eurodeputetëve.” – tha Vasili.
/Hashtag.al