Vendosni fjalën kyçe....

Mesazhet e 7 eurodeputetëve një ditë më pas, çfarë (nuk) thanë


7 eurodeputetët që zbarkuan në Tiranë ditën e djeshme, dhanë sot një konferencë shtypi publike për të deklaruar gjetjet dhe qëndrimin e tyre pas takimeve që zhvilluan dje me krerët e opozitës si dhe me përfaqësues të qeverisë.

Në fjalën e tyre të gjithë eurodeputetët theksuan nevojën e dialogut mes palëve politike në vend dhe dënuan vendimin e deputetëve të opozitës për djegien e mandateve, pasi sipas tyre bojkoti nuk zgjidh gjë.

Të gjithë deputetët që morën fjalën në konferencën për shtyp i joshën palët politikë në vend me çeljen e negociatave, vendim që pritet të merret në muajin qershor.

“Mund të ketë probleme me zgjedhjet por ato janë të pranuara. Nuk jemi dakord që bojkoti i parlamentit është gjëja e duhur për t’u bërë. U bëjmë thirrje partive politike, shoqërisë civile që të ushtrojnë presion mbi aktorë të ndryshëm për të gjetur një zgjidhje. Protestat para parlamentit nuk duhet të jenë të dhunshme, sepse nuk është mënyrë demokratike për gjetjen e zgjidhjes. Shoqëria Civile duhet të ketë akses në ligjvënie dhe të mos flasin pasi ligjet miratohen. Duhet të marrin pjesë në ligjvënie. E ardhmja e Shqipërisë është rinia e saj.” – tha kreu i delegacionit, Kelam.

Megjithatë nga raportet e deritanishme të disa prej vendeve të rëndësishme dhe me peshë në vendimmarrje si Franca, Holanda dhe Belgjika, çelja e negociatave për Shqipërinë zor se do të ndodhë në qershor.

Përveç batutave “parlamenti është institucion i demokracisë”, “parlamenti është vend për të dialoguar” etj., eurodeputetët pohuan se zgjedhjet kishin qenë të lira e të ndershme dhe se parlamenti i Shqipërisë ishte legjitim.

Njëri prej eurodeputetëve, Preda, deklaroi se kishte qenë vëzhgues në zgjedhjet e fundit dhe ato sipas tij kishin qenë të lira e të ndershme. Madje ai u shpreh se mërzitej kur opozita pretendonte të kundërtën.

“Zgjedhjet shkuan mirë dhe shprehja e e opozitës se zgjedhjet nuk ishin të mira më mërzit pak. Ne kemi ekspertizën më të mirë në botë për sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve.” – tha Preda.

Ndërkohë pak ditë më parë, nënkryetari i OSBE-së, Wilton, gjatë një takimi në Shkodër pohoi se në zgjedhjet e vitit 2017 kishte pasur blerje votash, por sipas tij ato nuk kishin ndikuar në ndryshimin e rezultatit.

Blerja e votave në zgjedhjet e vitit 2017 është pasqyruar edhe nga mediat ndërkombëtare siç janë “RAI” dhe “Zëri i Amerikës”, ndërsa lidhur me këtë çështje ekziston edhe “Dosja 339”, që për momentin ka zënë pluhur.

Blerja e votave u pohua edhe nga eurodeputetët në konferencën e sotme, por sipas tyre kjo nuk është diçka e madhe dhe se nuk ka ndikuar në zgjedhje.

Në fund eurodeputetët u pyetën lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi. Ata theksuan se ajo po ecte shumë mirë deri në momentin kur kreu i delegacionit u pyet për paralizimin e sistemit të drejtësisë, për shkak të shpërbërjes së Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.

Pyetje së cilës Kelam iu përgjigj duke thënë se reforma në drejtësi po shkonte mirë dhe se “termi krizë kushtetuese ishte i përdorur jo në vendin e duhur”.

Për të shmangur rastet e dy standarteve në vettingun ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, në këto seanca merr pjesë një vëzhgues ndërkombëtar, ose siç njihet ndryshe vëzhguesi i ONM-së (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit).

Në shumë raste, vëzhgimet e tij nuk janë marrë parasysh në vlerësimet e bëra nga KPK-ja (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) dhe rasti me flagrant për këtë është ai i shefes së Krimeve të Rënda, Donika Prela, në dorën e së cilës është “Dosja 339” për zgjedhjet e vitit 2017. 

/Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *