Për të gjithë ata që kanë zhdoganuar makinat e vjetra, numri i të cilave arrin 60 mijë, por nuk kanë mundur t’i regjistrojnë, kanë afat deri më 31 dhjetor për regjistrimin. Makinat e vjetra që kanë hyrë në vend, por nuk po arrijnë të zhdoganohen për shkak të mosplotësimit të standardeve të shkarkimit të gazrave, kanë afat deri më 31 dhjetor të kryejnë procedurat.
Pas ankesave të shumta nga qytetarët dhe shitësit e makinave të vjetra, qeveria ndryshoi vendimin për hyrjen e tyre. Dje, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, tha se në vend do të lejohen të hyjnë makina të vjetra të standardit “euro 4”, nga “euro 5” që parashikonte vendimi i mëparshëm.
Sipas këtyre ndryshimeve, qytetarët do të kenë mundësi të importojnë makina të prodhuara nga viti 2005. Vendimi i mëparshëm lejonte vetëm importin e makinave të prodhuara nga viti 2009. Ministrja Balluku tha gjithashtu se të gjitha makinat e vjetra të ndaluara në Doganë kanë afat zhdoganimi deri në 31 dhjetor 2019. I njëjti afat vlen edhe për regjistrimin e mjeteve të vjetra, që nuk përmbushin kriterin “euro 4”, ndërsa vendimi i mëparshëm parashikonte që ky afat të përfundonte më 1 mars.
“Shtyhet afati i hyrjes në fuqi të kësaj vendimmarrjeje. Nga data 28 shkurt 2019, që ishte në VKM nr.633, afati shkon në datën 31 dhjetor 2019 për zhdoganimin e automjeteve që kanë hyrë në Shqipëri pas hyrjes në fuqi të VKM nr.633. Me ndryshimin e bërë sot (dje) parashikohet që do të lejohet zhdoganimi i të gjitha mjeteve që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë deri në datë 31 dhjetor 2018. Standardizimin sipas parametrave matës për emetimin e gazrave me standardet e BE-së. Automjetet e përdorura që do të futen në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të përmbushin kushtet teknike ‘euro 4’, ndërkohë që automjetet me kilometrazh 0 duhet të përmbushin kushtet ‘euro 5’ dhe ‘euro 6’”, u shpreh ministrja Balluku.