Matteo Salvini i ka thënë “Po” punësimit të mijëra emigrantëve. Përmes një dekreti, ministri i Brendshëm italian pranoi që këtë vit të hyjnë për të punuar në Itali 30 850 ekstrakomunitarë, me kushtin që të tregohen bashkëpunues me qeverinë italiane lidhur me riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm.
“La Repubblica” flet për një lloj “liste të zezë” që Salvini do të përdorë, sipas saj, si formë presioni gjatë turneut të ardhshëm në Afrikë, ku do të kërkojë konkretizimin e disa marrëveshjeve mbi të cilat punon prej muajsh.
“Me 3 milionë italianë të papunë, them se duhet të mendojmë një herë për ta e pastaj për pjesën tjetër të botës”, thoshte ai përpara disa kohësh. Por, nuk mund t’i mbyllësh të gjitha portat, thotë e përditshmja italiane, e cila sqaron më tej se kuotat e sivjetshme janë pak a shumë në një linjë me ato të vitit 2018.
Nga 30 850 vende pune, më shumë se gjysma, 18 000, do t’i rezervohen punëtorëve sezonalë, atyre që punojnë kryesisht në ferma gjatë sezonit të korrjeve dhe që të paktën teorikisht do të duhet të largohen nga Italia me mbarimin e kontratës.
Vendet e mbetura ndërkohë do të jenë për punët josezonale.