Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali nën emocione: E dëgjuat çfarë thanë ata për opozitën?!


Aq e emocionuar ka qenë ministrja Spiropali pas konferencës për shtyp të 7 eurodeputetëve, saqë nuk ka humbur kohë, por ka dalë menjëherë duke bërë një deklaratë të gjatë për mediat, plot 13 paragrafë.

Ajo ka deklaruar se opozita po e bën Shqipërinë copë në sytë e botës ndërsa shqiptarët nuk e meritojnë këtë gjë.

Në një dalje për mediat pas konferencës për shtyp të delegacionit të PE-së, Spiropali bëri një deklaratë për mediat duke thënë ndër të tjera se deputetët e opozitës janë njerëz të dëshpëruar dhe bën gjëra të dëshpëruara.

Spiropali foli gjerë e gjatë për delegacionin e PE-së, për opozitën, për Shqipërinë dhe shqiptarët, zgjedhjet, negociatat, etj etj. Gjithçka në 13 paragrafë.

Deklarata e plotë

Së pari, shpreh në emër të qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit, keqardhjen që miqtë tanë nga Parlamenti Europian, të majtë e të djathtë, detyrohen përsëri të jenë dëshmitarë të të njëjtit konflikt që përsëritet në një formë të re, fatkeqësisht edhe më të papranueshme sesa më parë.​

U kërkojmë ndjesë atyre edhe për reagimet e papranueshme të ish-deputetëve të opozitës, të cilët, fatkeqësisht janë arratisur, jo vetëm nga detyra, duke tradhtuar zgjedhësit, por dhe nga terreni i të menduarit dhe të folurit normal, duke iu dhënë krahëve të dëshpërimit. Njerëz të dëshpëruar që mendojnë në mënyrë dëshpëruese dhe bëjnë gjëra të dëshpëruara.

Sipas tyre, Shqipëria qenka shtëpia e shqiptarëve dhe miqtë e partnerët e këtij vendi qenkan turistë me vështrim të mjegulluar. Ndërkohë që shqiptarët na qenkan vetëm ata që po dëmtojnë konsumin dhe ekonominë e familjeve me pasigurinë e krijuar prej retorikës së dhunës e po e bëjnë copë Shqipërinë në sytë e botës me skenat e turpshme të goditjes me kokë mureve të institucioneve.

Gjynah vërtetë! Gjynah, sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë këtë shfaqje konfliktualiteti dëmtues, për hir të karrierës së Lulzim Bashës që i trembet humbjes së zgjedhjeve të radhës për hir të frikës nga drejtësia që ka udhëheqja e opozitës.

Gjynah, sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë që në vitin 2019 opozita e tyre të flasë si të ishte viti 1919 dhe të sillet me miqtë e partnerët e këtij vendi si të ishte një organizatë e PPSH-së në ndonjë fshat të humbur.

Gjynah, sepse kjo është koha për të qenë bashkë kur vjen puna tek qëllimi kombëtar i çeljes së negociatave me Bashkimin Europian dhe jo rasti për të bërë kamikazin që të hidhet në erë procesi i negociatave!

Sidoqoftë, opozitën nuk e zgjedhim ne dhe ne jemi këtu për të mbajtur dorën e shtrirë ndaj saj edhe pse sot për sot ajo është marrë peng nga disa persona që e kthyen grupin opozitar në parlament në një grup të arratisurish nga detyra.

Ndërkohë që ne e vlerësojmë shumë mbështetjen që Parlamenti Europian vazhdon t’i japë vendit tonë dhe i falënderojmë eurodeputetët e djathtë dhe të majtë, pa asnjë dallim, për qëndrimin e tyre pa asnjë ekuivok në anën e shqiptarëve që shtëpinë e përbashkët e duan ne Bashkimin Europian, jo në oborrin e Lulzim Bashës apo të Monika Kryemadhit.

Përmes misioneve raportuese dhe mbikëqyrëse, po aq sa vetë Komisioni, i cili pa u ndalur ka vëzhguar me lupë dhe analizuar me themel procesin qeverisës dhe reformat në Shqipëri, eurodeputetët kanë kuptuar mirë çdo aspekt të progresit të vendit. Ata e dinë se ne kemi ende shumë për të bërë, por nuk impresionohen nga propaganda e çartur opozitare dhe nga fabulat mediatike me skandale e përmbysje imagjinare.

Delegacioni i tyre foli troç fare, duke rrënuar pikë për pikë çdo pretendim absurd për qeverira tranzitore, parlamente jo legjitime, nënvizuan nevojën për vazhdimin e jetës parlamentare dhe zëvendësimin ligjor të të arratisurve, duke ndarë me publikun disa të vërteta shumë të thjeshta.

Parlamenti dhe qeveria janë zgjedhur me votë dhe problematika e zgjedhjeve nuk e vë në asnjë diskutim rezultatin e tyre. Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe nocioni i qeverisë tranzitore është i pajustifikueshëm.

Përgjimet iu takojnë gjykatave, jo Parlamentit. Bojkoti, dhuna dhe djegia e mandateve janë të papranueshme. Shqipëria ka bërë shumë rrugë drejt normalitetit dhe progresit dhe e ardhmja e saj nuk mund të merret peng.

Duke e mbyllur, iu bëj thirrje ish-kolegëve deputetë të reflektojnë dhe të mos humbasin më shumë se ç’kanë humbur, jo se më shqetëson humbja e tyre, por sepse kjo që ata bëjnë në rrugën e humbjes së tyre nuk është e mira e kësaj shtëpie të përbashkët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *