Vendosni fjalën kyçe....

A është politik konflikti për bustin e Skënderbeut në Lezhë? (VIDEO)


Një konflikt mes përfaqësuesve të institucioneve ka nisur në Lezhë. Fjala është për bustin e Skënderbeut.

Duket se përfaqësuesit e IKMT-së nuk e kanë vrarë edhe aq mendjen kur i kanë vënë fadromën bazamentit ku do vendosej busti i heroit.

Bashkia Lezhë kishte vendosur që pas ca ditësh, në vendin që u shkatërrua sot, të lartësohej busti i Skënderbeut.

Në lojë ka hyrë edhe Instituti i Monumenteve, sepse sipas IKMT-së nuk ka dhënë leje për vendosjen e këtij busti.

Ndërsa kreu i Bashkisë së Lezhës, demokrati Fran Frrokaj e ka quajtur të papranueshëm këtë veprim.

“Nismën e Bashkisë Lezhë për vendosjen e shtatores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, Ministria e Kulturës dhe Qeveria kanë vendosur ta pengojnë politikisht.

Në emër të gjithë banorëve të Lezhës u bëj thirrje Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë duke kërkuar mbështetjen për ti hapur rrugë vendosjes së shtatores së heroit tonë kombëtar në Sheshin “Gjergj Kastriot” në Lezhë. Theksojmë se Shtatorja e Heroit tonë Kombëtar, bazamenti dhe gjithçka nga ky projekt janë gati për montim.

Historinë e shkruajnë Heronjtë! Politika mbetet në histori vetëm nëse ka vullnet të mirë e vlera përbashkuese në të mirë të vendit!”, thekson kryebashkiaku Frrokaj.

Në një deklaratë pas situatës ka dalë edhe IKMT.

“Në sqarim të qëndrimit të disa mediave rreth aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Lezhë: Në datën 27 shkurt të këtij viti, Instituti i Monumenteve të Kulturës, i ka kërkuar IKMT të ndërhyjë menjëherë në zonën muzeale në sheshin “Gjergj Fishta” për pezullimin e punimeve dhe prishjen e një ndërtimi të paligjshëm dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshmë. Bazuar në këtë kërkesë dhe në zbatim të plotë të legjislacionit, detyrave dhe detyrimeve të saj, IKMT ka marrë masat duke prishur ndërtimin e paligjshëm në zonën e sipër përmendur. Veprimet e IKMT janë të bazuara në ligj dhe çdo insinuatë në këtë rast është e pavend.”, thuhet në deklaratën e IKMT-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *