Kohët e fundit, Digitalb ka pësuar ndryshime të mëdha. Ndonëse që prej themelimit të tij, dallonte për stafin e bashkuar dhe punën prej skuadre, largimet e fundit të bëjnë të mendosh në lidhje me vazhdimësinë e tij.
Ç’do të ndodhë me Digitalb?
Pak kohë më parë, në janar të 2019-ës u shkarkua nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Digitalb, Alban Jaho, post të cilin e mbante që prej vitit 2004 kur Digitalb u themelua.
Pas tij, radhën për t’i dhënë zyrtarisht lamtumirën e kishte një tjetër zë po kaq i rëndësishëm në rrugëtimin e kësaj platforme.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Instagram-it, Genc Gjineci, “zëri” zyrtar i Digitalb, postoi një video, video në të cilën vendosi t’i jepte me zë lamtumirën publike shtëpisë së dytë!
Për më shumë se 15 vite ai ka qëndruar në krye të departamentit të post-produksionit në DigitAlb.
“Ky komunikim është i veçantë, fare ndryshe nga sa e sa të tjerë kam bërë gjithë këto vite. Pasi hyra në të 20-in vit të nisjes së bashkëpunimit fillimisht si i jashtëm në Top Media, këto 15 më të fundit prej tyre kanë qenë 15 vite jetë në Digitalb!
Krenar që kam bashkëpunuar direkt me themeluesin e ndjerë Dritan Hoxha dhe pafundësisht mirënjohës e falenderues për të gjithë kolegët, bashkëpunëtorët dhe miqtë për punën e përbashkët të gjithë këtyre viteve.
Digitalb mbetet një histori e gjatë dhe krenare në jetën time! Bashkë do të ritakohemi shumë shpejt, në të tjera sipërmarrje!”.- thotë ndër të tjera.
Pas largimit të disa prej emrave që qëndronin pas thuajse çdo projekti në Digitalb dhe jo vetëm, mbetet e paqartë ç’do të ndodhë me platformën, nëse do të ndryshojë strategji, ose jo.
Në epokën e Netflix dhe faqeve pirate, platformave të tilla digitale u duhet të rishpikin për të ecur me hapin e kohës.
Digitalb erdhi si risi e jashtëzakonshme e themeluar nga Dritan Hoxha në korrik të 2004-ës dhe ja doli t’i rezistojë kohës për dekada me radhë.
Gjatë gjithë këtyre viteve, platforma solli kampionate botërore sportive, filma e serialë të famshëm dhe jo vetëm. Mbi të gjitha ka mbështetur financiarisht prodhime shqiptare kinematografike dhe teatrale duke ndikuar kështu në vazhdimësinë e projekteve artistike në vendin tonë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Anabelmagazine.com