Templates by BIGtheme NET

Lenifisherat e Strasburgut

Natën e 26 majit 1996, rreth gjysëm ore, bashkë me disa kolegë të tjerë, kalova në zyrën elektorale të kandidatit të partisë në pushtet. Të gjithë e dinim se zgjedhjet i kishte marrë lumi dhe biseda ishte korr e mos lidh.

Në kohën kur po bëheshim gati të ngriheshim dera u hap me vërvimë. Një burrë tek të dyzetat shkarkoi nga qafa kutinë e votimit që e mbante si një dele dhe ia përplasi deputetit gjithë teatralitet në tavolinë : Merre dhe Mashkullorën, tha Strazua gjithë krenari.Të gjithë u lebetitëm. Dikush i tha se duhet ta çonte në komisionin zgjedhor. Strazua u ndie i fyer. Me ju nuk luftohen komunistët. Përplasi derën dhe iku, bashkë me kutinë. Dolëm dhe ne gazetarët. Ndoqëm Strazon dhe kutinë.

Në selinë e prefekturës, ku ishte vendosur dhe komisioni i zgjedhjeve, televizioni ishte ngritur në kupë të qiellit. Vjollca Vokshi proklamonte fitoren e PD-së edhe në Skrapar me të njëjtin patos të Levitanit, spikerit legjendar të radio Moskës, kur shpalli fitoren e Stalingradit. Komisioni i zgjedhjeve zhvillonte mbledhje me dyer të mbyllura. Askush s’mund të hynte. Për ne gazetarët as që bëhej fjalë. Tek dera priste dhe një familjar i kandidatit tjetër të partisë në pushtet. Ishte e revoltuar me ata që ishin brenda. Të gjithë po marrin mandatin, përse nuk ia jepni dhe burrit tim, i tundte gishtin kërcënues prefektit që kaloi andej pari. Prefekti u tregua i sinqertë . Rasti i burrit tënd është specifik. Kandidoi në Dropull dhe askush nuk do e besojë se minoriteti grek ka votuar një mysliman, iu përgjigj.

Një javë më pas isha në Tiranë. Në Pallatin e Kongreseve jepnin konferencë shtypi një grup eurodeputetësh. Në krye të tyre ishte dikush që quhej Ieni, leni. Leni Fisher më duket. Pa ju dridhur qerpiku, pa u skuqur fare, i shpallën zgjedhjet e 26 majit “të lira dhe të ndershme”. E kisha të pamundur t’i besoja. Pak ditë më parë kisha parë Strazon. Labcja e Strazos ishte shumë më e drejtëpërdrejtë se anglishjta e drunjtë e Lenit. Çfarë ndodhi më pas e dimë të gjithë. Leni harroi dhe u harrua pas ca muajsh deri sa Bashkësia Ndërkombëtare çoi mijëra trupa paqeruajtëse për të ndarë sherrin shqiptar që kishte prodhuar mbi 2 mijë të vrarë. Deklaratat e sotme të eurodeputetëve dhe syzet e varura prej ashiku të Fleckenstein më kujtuan Strazon dhe Lenin. 

Zgjedhjet e fundit u bënë 21 vjet nga koha e Strazos. Vjedhja nuk bëhet në mënyrë harbute. Gjithsesi vjedhja është vjedhje. Sado të pyesë i habitur Fleckenstein se ku janë faktet e kemi të pamundur ta besojmë. Sepse të gjithë e kemi parë se “fakti është brenda”. Mjaftojnë përgjimet e prokurorisë që janë bërë publike nga VOA. Madje produkti i vjedhjes është më i madh. Sepse nëse në ’96-ën nuk u prodhuan myslimanë në Dropull, 21 vjet më pas mësuam se ka çamë dhe në Dibër. 
Për hir të vërtetës eurodeputetët nuk u treguan aq leshko sa zëvendësambasadori i OSBE-së i cili tha “votat janë blerë , por kjo nuk ka ndikuar në rezultat sepse të gjitha partitë kanë blerë”. As batuta e Shvejkut “ku di unë se çfarë bëj unë” nuk është aq tragjikomike. Megjithatë mbetet pyetja: a duhet t’i besojmë eurodeputetët që erdhën së fundi në Tiranë? Vetëm në një rrethanë mund të themi se nuk ka ndodhur ajo që kemi parë. Rilindja të ringjallë “Komandantin” (të cilin asnjëherë në 45 vjet nuk e krahasuam me Skënderbeun). Por tashmë s’kemi pse të kemi frikë. Kush ka ikur nuk është kthyer nga Andej.

E kemi parë dhe mund ta themi me zë të lartë strukturën kriminale elektorale që ka ngritur Edi Rama. Kemi parë se si territorin e Republikës e ka ndarë në çifliqe në krye të secilit ka vendosur një grusht njerëzish që blejnë vota dhe intimidojnë këdo që është kundër tij. Fotot e emisarëve të tij në tryeza me killera dhe njerëz që janë në kërkim nga policia janë bërë tashmë një rutinë. Madje dhe vetë Rama është fotografuar me më të efektshmit e tyre. S’ka Leni Fisher apo Knut Fleckenstein të na mbushë mendjen se ajo që kemi parë nuk është ajo që kemi parë. 

Koha ka ardhur që shqiptarët mos kërkojnë më arbitër ndërkombëtar për sherret tona të brendshme. Madje koha ka kaluar që tre vjet më parë, në kohën kur vetëm oborri i Kryeministrisë kishte mbetur pa mbjellë me hashash, ishin ndërkombëtarë ata që thanë se “është çrrënjosur 99.8 për qind e sipërfaqes së mbjellë me kanabis”. Kjo duhet të ndodhë për shumë arsye. E para se shqiptarët tashmë nuk janë më ata të para 30 viteve më parë. Gjithkush në profesionin e tij nuk ka kompleks inferioriteti. Në krizat ciklike të politikës gjithnjë është dëshmuar se ndërkombëtarët në emër të stabilitetit, kanë zgjedhur rrugën më të lehtë, kanë ushtruar presion tek më i dobëti, janë bërë gjithnjë me qeverinë. E megjithatë kriza nuk është zgjidhur është vetëm agravuar. 

Nëse kthehemi tek Strazua dhe Leni ajo që po ndodh tani ka një tjetër ngjashmëri. Sali Berisha gjeti një mjek fshati për të thyer bojkotin e opozitës. Të njëjtën gjë po bën tani dhe Edi Rama. Përmes ca leftermurrizësh po përpiqet të caktojë një opozitë të re. Sali Rexhepit të shkretë dhe mund t’i falej. Ishte i varfër dhe u tundua. Por këta të sotmit e kanë kripur djathin, janë miliarderë. Çfarë u duhet një mandat për pak muaj?

Sa më shumë të shtyhet në kohë zgjidhja politike, aq më të rënda do jenë pasojat për vendin dhe aq më i madh dëmi elektoral i PS-së. Në këtë rrethana palët duhet të ulen në tryezë për të gjetur një zgjidhje: jo për një tranzicion pushteti, por për një pakt social, pse jo një pakt xhentelmenësh, të fiksuar në klauzola të qarta: jo më vjedhje votash.

 

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto