Bujar Spahiu do jetë kreu i Komunitetit Mysliman për 5 vitet e ardhshme.
Në votimet që u zhvilluan sot, Spahiu mori 59 vota kundrejt 26 votave që mori kandidati tjetër, Ylli Gurra.
Ndërsa rivali i tretë në garë, Gramos Blliku mori 2 vota.
Zgjedhjet e sotme u monitoruan nga Ambasada Amerikane në Tiranë dhe nga përfaqësues të OSBE-së.
Ish-kreu i KMSH-së, Bruçaj, u tërhoq nga gara një ditë para zgjedhjeve duke dhënë si arsye rotacionin dhe dhënien e mundësisë për drejtimin e këtij institucioni të teologëve që ishin arsimuar në shkollat më të mira në botë.
Ditën e sotme u tërhoq nga gara edhe myftiu i Kukësit, Islam Hoxha.
Në votimin e sotëm morën pjesë myftinjtë e vendit, 12 anëtarët e Kryesisë së Komunitetit të Shqipërisë dhe 45 anëtarë nga Shoqëria Civile.
Në votime morën pjesë 87 persona. Bujar Spahiu ka mbajtur më herët postin e nënkryetarit të Komunitetit Mysliman.
Spahiu është kryetari i 10 i komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndërsa u shpreh pas fitores se ndihet i nderuar, por edhe i vendosur para sfidave.
“Më keni nderuar e më keni vënë përpara vështirësisë. I lutem Zotit të jem i drejtë në këtë detyrë të vështirë. Lutjuni Zotit që të ma bëjë më të lehtë këtë barrë. KMSH-ja në lidershipin tim do ruajë traditën e paraardhësve. Ju sot më keni nderuar dhe njëkohësisht më keni vënë përpara një përgjegjësie të madhe. I lutem Allahut të më nderojë dhe të më bëjë të mundur të jem i drejtë në këtë detyrë kaq të vështirë dhe me përgjegjësi të madhe.” – tha Spahiu pas shpalljes së rezultateve.