Vendosni fjalën kyçe....

Kthehet nga SHBA për të votuar në Tuz, shqiptari ndalohet pse bëri shqiponjën (VIDEO)


Ndërkohë që në Tuz të Malit të Zi po zhvillohen zgjedhjet komunale, është shënuar incidenti i parë.

Një prej shqiptarëve në Tuz, Sead Nikaj, i cili ka udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të votuar, është ndaluar në aeroport për shkak se ka bërë simbolin e shqiponjës me duar.

Pas incidentit, Nikaj ka folur për mediat ku ka rrëfyer se policët i kanë thënë ta bëjë atë simbol në një vend tjetër, po ai i është përgjigjur se ndodhet në vendin e vet dhe ku më mirë se në vendin e vet mund ta bëjë atë simbol.

“Unë kam ardhur për të votuar, pasi partitë tona u bashkuan pas disa dekadash. Hapin e parë e bënë vendasit kurse ne po kryejmë obligimin që kemi ndaj Tuzit.

Po unë sapo dola me këtë xhaketë që më shihni. Sapo dola nga avioni më shihnin me një sy shumë të keq. Më ndanë në një dhomë.

Kur dola, përshëndeta familjarët e mi me një shqiponjë krenare. Policët më thanë këtë bëje në një vend tjetër. Jo jo them, unë këtu sepse kjo është toka ime. Fitues jemi sepse jemi të bashkuar dhe fitues do të jemi po ashtu në vota. Do ta marrim Malësinë në dorë. Situata është e qetë.”, ka treguar shqiptari.

Përpos kësaj, deri më tani situata duket e qetë.

Kjo e djelë është një ditë historike për shqiptarët që banojnë në Malin e Zi pasi  pas 62 vitesh  kjo komunë do të ketë një udhëheqje të pavarur nga kryeqyteti malazez.

Por jo vetëm… për herë të parë në historinë e proceseve të tilla lokale, partitë politike shqiptare dalin të bashkuar në koalicionin “Malësia na Bashkon”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *