Gjatë një takimi me strukturat e forumit Rinor të LSI-së, Monika Kryemadhi ka paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen në maj.
Pasi i përgëzoi fillimisht të rinjtë e LSI-së, “që nuk u shitën” por i qëndruan kauzës së tyre, Kryemadhi dha edhe disa porosi për ta, duke zbuluar edhe kohën kur zgjedhjet e parakohshme do mbahen sipas saj.
“Ju si strukturë rinore do të vazhdoni angazhimin tuaj me gjimnazet, me universitetet. Angazhimi i të gjithë strukturave të LRI për komisionerët që do të jenë pjesë e procesit.
Të jeni të bindur se në fund të majit Shqipëria do të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, janë fjalët e Kryemadhit.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se njerëzit nuk kanë dalë në protesta as për të apo Lulzim Bashën, por për hallet e tyre.
“Protesta nuk është politike. Njerëzit nuk dalin as për Lulin e as për Monikën. Njerëzit në shesh kanë dalë për hallet e tyre, ashtu si protesta e studentëve për çmimet e taksat e larta, kushtet e mjerueshme e shumë problematika të tjera që sollën një protestë madhështore.
Pakënaqësia nuk ishte as opozitare as nga një grusht njerëzish por e qindra e mijëra studentëve që i dhanë një mësim të mirë jo vetëm opozitës por të gjithë atyre njerëzve që nuk janë dakord me reformat e qeverisë e diktaturën e realitetin e hidhur e më poshtërues që kanë kaluar shqiptarët që nga 1990″, tha Kryemadhi.