Vendosni fjalën kyçe....

Nisin votimet në Tuz, “bashkimi” çelësi për partitë shqiptare


Ka nisur processi i votimit në komunën e Tuzit në Mal të Zi, ku banorët me shumicë shqiptare po votojnë për kryetarin e ri. 

Pas 62 vitesh  do të ketë një udhëheqje të pavarur nga kryeqyteti malazez.

Mësohet se që prej orës 07:00 të mëngjesit, janë hapur pikat e votimit për ato që mund të quhen zgjedhjet e para vendore që kur qyteza mori statusin e Komunës, pasi më parë ka qenë pjesë e Podgoricës.

Për herë të parë 3 partitë politike kryesore shqiptare që veprojnë në këtë zonë kanë formuar një koalicion parazgjedhor nën moton ‘Malësia na Bashkon’ duke kandiduar me një listë të vetme, e në këtë mënyrë duke rritur shanset që kjo komunë të udhëhiqet nga një shqiptar.

Përfaqësuesit e koalicionit të tre partive politike, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar, nënshkruan një Deklaratë mbi koalicionin parazgjedhor “Forumi Shqiptar”, duke mundësuar kandidimin me një listë të vetme.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Socialistëve, e Presidentit Milo Gjukanovic, garon më vete, ndërsa kandidatë kanë paraqitur edhe Partia Socialiste Popullore, Demokratët dhe Social Demokratët.

Partitë shqiptare besojnë se çelësi i bashkimit, do t’i nxjerrë fitimtarë në sfidën për të marrë 17 këshilltarë nga 32 të tillë.

Pikat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00 dhe pritet të votojnë rreth 11.904 persona në 30 qendra votimi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *