Vendosni fjalën kyçe....

Fitore historike për shqiptarët në Tuz, nis festa (FOTO)


3 marsi do të mbetet në histori për shqiptarët e Tuzit në Mal të Zi, pasi për herë të parë, u jepet mundësia të qeverisin të pavarur nga Podgorica zyrtare.

Procesi i numërimit të votave ka përfunduar, dhe në orën 23:55 u shpall rezultati se shqiptarët kanë fituar shumicën cilësuese.

Mediat shqiptare në Mal të Zi kanë publikuar dhe më herët rezultatet paraprake, sipas të cilave Forumi Shqiptar ka shënuar një fitore të thellë me 3780 vota, DPS  ka marrë 2470 vota, SNP 81 vota, Demokratët 236 vota, SD 356 vota, Boshnjakët 952 vota.

Kështu partitë shqiptare marrin 16 mandate nga 32 që ka komuna e Tuzit. Pritet që edhe një nga socialdemokratët e Milo Gjukanoviç të kalojë me koalicionin shqiptar duke përbërë kështu shumicën absolute.

Kujtojmë që kryetari i komunës zgjidhet me votat e këshillit. Menjëherë pas fitores shqiptarët kanë shpallur festën, duke kërcyer e kënduar me këngët shqipe dhe flamurin kuq e zi.

Mirëpo dyshohet se ka patur dhe tentativa për blerje votash. Një person i komunitetit rom tha se i kanë ofruar 50 euro për të votuar kandidatin e partisë së Gjukanoviç.

Liridon Vulaj, zëvendësanëtar në Komisionin e Votimit thotë se ka filmuar fshehtas votuesin rom, ndërsa ai tregonte se ka votuar në bazë të parave që ka marrë. Ai pranoi se ka marrë 50 euro jo vetëm ai por gjithë familja për të votuar kandidatin e partisë së Gjukanoviç.

Arsyeja se përse kjo është një ditë historike për Tuzin është se pas 62 vitesh  kjo komunë do të ketë një udhëheqje të pavarur nga kryeqyteti malazez. Por jo vetëm… për herë të parë në historinë e proceseve të tilla lokale, partitë politike shqiptare dalin të bashkuar në koalicionin “Malësia na Bashkon”. Dhe ky koalicion fitoi.

Të shumtë kanë qenë shqiptarët që kanë ardhur vetëm për t’u bërë pjesë e votimit, mes tyre dhe Mark Gjonaj, këshilltar në bashkinë e Nju Jorkut. Njëri prej shqiptarëve që mbërritën nga SHBA-ja, pati edhe një incident.

Sead Nikaj, tha se është ndaluar në aeroport për shkak të bërjes së simbolit të shqiponjës.

“Unë kam ardhur për të votuar, pasi partitë tona u bashkuan pas disa dekadash. Hapin e parë e bënë vendasit. Po kryejmë obligimin që kemi ndaj Tuzit.

Sapo dola nga avioni më shihnin me një sy shumë të keq. Më ndanë në një dhomë. Kur dola, përshëndeta familjarët e mi me një shqiponjë krenare. Policët më thanë këtë bëje në një vend tjetër. Unë këtu se kjo është toka ime. Fitues jemi sepse jemi të bashkuar. Do ta marrim Malësinë në dorë. Situata është e qetë.”, ka treguar shqiptari.

Në Tuz mbizotëron ideja se minoriteti shqiptar diskriminohet përsa i përket roleve në administratë apo prej etnisë së tyre pavarësisht se në rajonin e Malësisë, ata përbëjnë rreth 70% të popullësisë. Por me këtë fitore, shqiptarët shpresojnë se kjo do të ndryshojë./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *