Lefter Maliqi ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ. Maliqi në zgjedhjet e 2017-ës ka kandiduar në qarkun e Beratit dhe pritet të marrë mandatin e deputetit.
Pas zgjedhjeve të 2017-ës Maliqi është distancuar nga PD, dhe është emëruar si zv.drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.
Ky veprim i Maliqit vjen përkundër vendimit të Partisë Demokratike, për të djegur mandatet e deputetëve dhe kërkesës ndaj kandidatëve të radhës në listën e 2017-ës që të mos e pranojnë mandatin.
Maliqi është pretendenti i pestë nga radhët e opozitës që kërkon të marrë mandatin e deputetit. Ai ka qenë i treti në radhë në listën e PD-së për qarkun e Beratit në zgjedhjet e 2017-ës, dhe pritet të marrë mandatin e Eduard Halimit.
Sot në orën 12:00, pritet të mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për t’i dhënë mandatin e deputetit katër kandidatëve të LSI-së.
Bëhet fjalë për Ylli Shehun, Enver Roshin, Aurora Marën dhe Edmond Rrushin, por pritet mbledhja e KQZ për konfirmimin zyrtar.
Pas djegies së mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, mediet pranë qeverisë kanë vrapuar për të gjetur se kush do jetë opozita e re artificiale që do krijohet. Madje shumë përmendin edhe rikthimin e Shpëtim Idrizit dhe Ben Blushit në Parlament, në rast se asnjë nga përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së nuk mandatohen.