Të paktën 20 mijë familje (saktësisht 20,202) janë refuzuar nga sistemi i ndihmës ekonomike vitin e shkuar për shkak të mospërputhjeve gjatë verfikimit të të dhënave. Analiza vjetore e Shërbimit Social Shtetëror ka nxjerrë në pah problematikat që kanë shoqëruar ndihmën ekonomike e cila prej disa vitesh është tashmë në fazë reformimi.
Nga mbi 101 mijë familje që aplikuan vitin e shkuar për të qenë pjesë të skemës vetëm gjysma ka arritur që të përfitojë.
“Vendimet finale të muajit janar për shkak të ngarkesës së informacionit të kryqëzuar automatikisht janë gjeneruar nga 12 Drejtoritë Rajonale në muajin shkurt dhe janë vlerësuar përfitues ne total 51.834 familje/individë në nevojë, nga të cilët 50.655 janë familje në NE. 20,202 familje të tjera janë refuzuar nga sistemi për mospërputhje gjatë verifikimit të të dhënave”, thuhet në raport.
I njëjti nxjerr se qarqet me numrin më të lartë të mospërputhjeve në raport me numrin total të aplikuesve është qarku Vlorës 52%, pasuar nga Kukësi 35%, Shkodra 31%, Dibra 28%, Lezha 29%, Fieri 29%, Berati 19,9% dhe Korça 19%.
Por cilat kanë qenë shkaqet apo mospërputhjet që janë konstatuar çka kanë bërë që familjet aplikante të skulifikohen? Numri i lartë rezultuar me mospërputhje ka qenë për shkak: të mosdeklarimit të automjetit, marrëdhëniet me punësimin, mosdeklarim pagash të sakta, mospërputhje te deklarimi i pensionit duke mosdeklaruar pensionin e invaliditetit në masa të sakta, por më së shumti ka pasur mospërputhje për shkak të mosdeklarimit të pensionit familjar.
Rastet që kanë rezultuar jo përfituese nga skema por që nga verifikimet në terren kanë rezultuar në kushte të vështira janë trajtuar me fondin 6 për qind.
Në të vërtetë nga verifikimet në terren vetëm një numër i vogël në raport me totalin e verifikimeve ka rezultuar me deklarim të rremë, pjesa tjetër përmbushin kushtet por nuk kanë kuptuar pyetjet gjatë plotësimit të formularëve.
“Për periudhën shkurt-mars 2018 janë kryer 2642 verifikime social-ekonomike për familjet jo përfituese në skemën e NE nga të cilat 165 familje kanë kryer deklarim të rremë ndërsa për pjesën tjetër janë udhëzuar administratorët shoqërorë të plotësojnë saktë deklarimet pasi nuk i kanë kuptuar pyetjet e formularit, të lejojnë të riaplikojnë muajin pasardhës si dhe t’i jepet mundësia e përfitimit nga fondi 6% i ndihmës ekonomike”, thuhet në raport.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al