Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Krizë politike, kushtetuese dhe institucionale. Palët të bëjnë hapa pas!


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar për krizën politike ku është futur vendi. Në konferencën e përbashkët për mediat me homologun slloven, Meta, tha se dialogu mazhoranca-opozitë duhet t’i paraprijë vendimit për hapjen e negociatave dhe u bëri thirrje palëve të bëjnë hapa pas.

“Jemi në kushtet e një krize politike, kushtetuese dhe institucionale e cila mund dhe duhet të ishte shmangur. Në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike kam apeluar për dialog midis palëve jo vetëm për të evituar këtë situatë por mbi të gjitha për t’i paraprirë atij vendimi të rëndësishëm që u paralajmërua në qershor të vitit të kaluar për çeljen e negociatave në qershorin që po vjen.

Një ditë pas vendimit të qershorit, kam thënë se duhet të fillojmë punën menjëherë në dialog, qeveri dhe opozitë, sepse kam thënë siç iku një ditë mund të ikë edhe një vit dhe mund të mbetemi përsëri në vend.“, tha Meta.

Presidenti përsëriti thirrjen e tij ndaj palëve për të bërë hapa pas, ndërsa kërkoi të vihet në plan të parë interesi kombëtar.

Në vijim të thirrjes që palët të bëjnë hapa pas dhe të veprojnë me përgjegjshmëri, unë besoj se kur ka vullnet dhe vihen në plan të parë interesi kombëtar që duhet të na motivojë edhe për shkak të kohës që po pakësohet, duhet të na shtyjë drejt zgjidhjeve të mençura dhe zgjidhjeve politike të kësaj situate.”, komentoi Meta, pasi u pyet nëse po punohet për një dialog mes qeverisë dhe opozitës, pas djegies së mandateve./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *