Policia e Shtetit ka reaguar ndaj FSHF-së, që akuzoi forcat e rendit për dhunën në stadiumin e Kamzës, pasi prej fillimit të sezonit, siguria në ndeshjet e kampionatit ruhet me stjuart.
Policia, në një reagim të gjatë, nënvizon se ata janë vetëm një nga aktorët dhe jo institucioni përgjegjës për organizimin, menaxhimi dhe mbarvajtjen e eventeve sportive.
“Policia e Shtetit, ka qenë dhe do të jetë gjithnjë e gatshme për të përmbushur detyrimet që burojnë nga kuadri ligjor dhe nënligjor në fuqi, lidhur me mbarëvajtjen e aktiviteteve të futbollit, për planifikimin dhe marrjen e masave të sigurisë së këtyre aktiviteteve në të gjithë vendin. Por ndërkohë kërkon edhe prej institucioneve që kanë detyrime të drejtpërdrejta për organizimin e eventeve sportive, të përmbushin këto përgjegjësi ligjore”, përfundon deklarate e Policisë së Shtetit.
Reagim i Policisë së Shtetit për dhunën në stadiume
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në zbatim të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të Ligjit nr. 79/2017 “Për Sportin”, Ligjit Nr. 19/2016, datë 22.09.2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”, të Urdhrit të përbashkët të Ministrit të Brendshëm dhe të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Nr. 5512, ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, për përmbushjen e përgjegjësive institucionale që lidhen me sigurinë në aktivitetet sportive, futbollistike.
Në vlerësim edhe të detyrimeve që rrjedhin nga Konventa e Këshillit të Europës me Nr. 218 datë 03.08.2016 “Mbi një qasje të integruar për rendin, sigurinë dhe shërbimet në ndeshjet e futbollit dhe aktivitetet e tjera sportive”, referuar edhe udhëzimeve të UEFA-s për sigurinë, etj. Policia e Shtetit ka nxitur në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunimin midis agjencive ligj zbatuese për të parandaluar akte dhune dhe veçanërisht ngjarje terroriste në stadiumet e futbollit.
Referuar ngjarjeve të fundit, Policia e Shtetit ndihet e keqardhur për reagimin e sotëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe aq më tepër për gjuhën e akuzave duke u përpjekur të shkarkojë përgjegjësitë tek Policia e Shtetit, dhe duke mos marrë përsipër asnjë përgjegjësi si aktore kryesore e organizimit të aktiviteteve sportive.
Në këtë kontekst, Policia është vetëm një nga aktorët dhe jo institucioni përgjegjës për organizimin, menaxhimin dhe mbarëvajtjen e eventeve sportive.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përmes shkresave zyrtare drejtuar Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, ka kërkuar marrjen e masave në zbatim të ligjit për Sportet, për garantimin e Kampionatit të Futbollit.
Së pari, në datën 19 mars 2018, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i është drejtuar Presidentit të FSHF-së me shkresë mbi marrjen e përgjegjësive institucionale që lidhen me sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve të futbollit, duke kërkuar nga kjo e fundit si institucioni organizator dhe përgjegjës në zbatim të ligjit Nr. 79/2017 “Për sportin”, krijimin e kushteve në ambientet sportive për Kampionatin e Futbollit 2018-2019, që nisi në Gusht 2018. Kjo, pasi Policia do të zbatonte vetëm detyrimet në funksion të zbatimit të këtij ligji. Por nga FSHF-ja nuk pati asnjë reagim apo përgjigje, as verbale dhe as shkresore.
Po kështu në datën 8 gusht 2018, në datën 13 gusht 2018, në datën 23 gusht 2018 dhe 24 gusht 2018, me 4 shkresa të tjera me të njëjtin objekt, Policia e Shtetit i është drejtuar FSHF-së për marrjen e përgjegjësive institucionale që lidhen me sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve të futbollit. Edhe pas kërkesave intensive të PSH, nuk pati reagim nga FSHF.
Gjithashtu nga Drejtoritë Vendore të Policisë brenda 2 muajve të vitit 2019, janë dërguar 24 shkresa drejtuar Klubeve të Futbollit, Bashkive dhe FSHF-së për dijeni, mbi problematikat për zgjidhje dhe mos marrjen përsipër të garantimit të sigurisë në ndeshjet e futbollit, pasi nuk plotësonin kushtet dhe kriteret ligjore.
Kështu konstatohet me keqardhje mospërmbushja e përgjegjësive institucionale për sigurinë e aktiviteteve sportive nga institucionet përkatëse, sa i përket plotësimit të kushteve të kërkuara të sigurisë në terrenet sportive ku zhvillohen aktivitetet sportive, futbollistike, ku rezulton se:
Nga 61 terrene sportive, vetëm në 2 stadiume, “Elbasan Arena”, Elbasan dhe “Loro Boriçi”, Shkodër përmbushen kushtet e sigurisë për të zhvilluar aktivitete sportive.
Në 59 impiante të tjera rezultojnë problematika dhe mangësi të theksuara, si:
- Dëmtime të rrethimit të jashtëm, brendshëm dhe të ndarjeve midis tribunave;
- Dëmtime të rrethimit kufizues të tribunës kryesore;
- Ekzistenca e shkallëve, apo ndenjësve të stadiumeve të dëmtuara;
- Ekzistenca e materialeve apo inerteve përreth disa stadiumeve dhe fushave sportive;
- Prania e banesave private ngjitur dhe në afërsi të rrethimit të jashtëm të stadiumeve/fushave dhe terreneve të futbollit;
- Mungesa e dhomave të kontrollit në stadiume për qëndrimin e drejtuesve të shërbimeve policore dhe grupit të koordinimit;
- Pamjaftueshmëria e portave hyrëse për në stadiume dhe me dyer të amortizuara që nuk kryejnë funksione;
- Mungesë e hyrje-daljeve të veçanta për tifozerinë e ekipeve mike si dhe e ambienteve të ndihmës së shpejtë;
- Mungesë e sistemit të monitorimit me kamera;
- Mungojnë kufizimet për futjen në mënyrë të kontrolluar të tifozëve, si dhe vendet e parkimit për mjetet e tifozëve dhe të ekipeve mike;
- Mungojnë vendet e përcaktuara për personalitetet në tribunat qendrore të disa stadiumeve, për gazetarët dhe për të ftuarit;
- Mungesë e tunelit (fizarmonikës) për lëvizjen e sportistëve nga dhomat e zhveshjes për në fushë dhe anasjelltas
- Mungesë e kushteve të domosdoshme higjenike për tifozët, etj.
Policia e Shtetit konstaton gjithashtu me keqardhje se pjesa më e madhe e organizatorëve të ndeshjeve dhe terrenet sportive, nuk përmbushin detyrimet minimale për organizimin dhe sigurinë e një ndeshjeje, si:
- Nuk lidhin kontratë me shoqëritë private të sigurisë fizike, në përmbushje të përgjegjësive institucionale të përcaktuara në nenin 51, të Ligjit Nr. 79/2017 “Për Sportin”, subjekte të cilat duhet të kryejnë:
- Kontrollin e tifozëve në portat hyrëse në mjedisin sportiv;
- Sigurimin e vendkalimeve publike në mjedisin sportiv;
- Drejtimin e spektatorëve tek ulëset në mjedisin sportiv dhe mbajtjen e tyre nën kontroll;
- Sigurimin dhe mbrojtjen e lojtarëve nga futja e tifozëve në mjedisin sportiv.
- Nuk zbatohet detyrimi për njoftimin e strukturave të Policisë së Shtetit nga organizatorët 7 ditë kalendarike përpara zhvillimit të ndeshjes, në zbatim të nenit 50, të Ligjit Nr. 79/2017 “Për sportin”.
- Nuk zbatohen kërkesat e Ligjit Nr. 19/2016, datë 22.09.2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”, pasi në mjediset e terrenet sportiv nuk janë instaluar:
- Kamera të tipit CCTV, me rezolucion të lartë;
- Nuk janë hartuar skemat e ruajtjes dhe sigurimit të objektit (terrenit sportiv), të cilat duhet të miratohen nga Shefi i Komisariatit të Policisë.
Mos përmbushja e këtyre detyrimeve ka sjellë mos parandalimin dhe monitorimin e ngjarjeve apo incidenteve të ndodhura gjatë zhvillimit të aktiviteteve, duke krijuar vështirësi në dokumentimin ligjor të tyre dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të veprave penale.
- Nuk janë përmbushur si duhet detyrimet e përcaktuara në nenin 48, të Ligjit Nr. 79/2017, “Për Sportin”, përsa i përket “Ndalimit të provokimeve dhe sjelljeve të palejuara”, pasi janë konstatuar problematika të shumta në drejtim të provokimeve dhe sjelljeve të palejuara nga ana e tifozerive, më e theksuar kjo për tifozeritë e ekipeve të kryeqytetit.
- Edhe më i rëndë është fakti, se në disa raste shkaktarë të incidenteve që degjeruan në dhunë, janë vetë organizatorët e ndeshjeve, siç ishte rasti i ndeshjes Kamza-Laçi e zhvilluar 3 mars 2019, ku u arrestuan edhe 4 pjesëtarë të stafit organizator të takimit.
Në përgjigje të akuzave të FSHF-së për neglizhenca dhe mos ndëshkimin e shkelësve, Policia e Shtetit informon se janë marrë masa administrative dhe penale ndaj shkeljeve të konstatuara në ndeshjet e sezonit të fundit të futbollit, që janë:
– Proceduar penalisht 37 tifozë, drejtues klubesh, në lidhje me incidentet e shkaktuara gjatë zhvillimit të ndeshjeve të futbollit, goditje për shkak të detyrës, dëmtim prone, kundërshtim punonjësi policie, prishje rendi dhe qetësie publike, etj;
– Proceduar administrativisht 24 punonjës shërbimi dhe drejtues subjektesh SHPSF;
– Proceduar administrativisht 39 tifozë, me gjoba nga 10.000-50.000 lekë.
Duke njohur detyrimet që Policia e Shtetit ka për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si misionin e saj parësor, punonjës dhe drejtues janë trajnuar dhe për të përfituar nga eksperiencat më të mira në drejtim të menaxhimit të aktiviteteve sportive, në bashkëpunim me misionet e asistencës ndërkombëtare policore, si PAMECA dhe nga vende partnere europiane.
Policia e Shtetit, ka qenë dhe do të jetë gjithnjë e gatshme për të përmbushur detyrimet që burojnë nga kuadri ligjor dhe nënligjor në fuqi, lidhur me mbarëvajtjen e aktiviteteve të futbollit, për planifikimin dhe marrjen e masave të sigurisë së këtyre aktiviteteve në të gjithë vendin. Por ndërkohë kërkon edhe prej institucioneve që kanë detyrime të drejtpërdrejta për organizimin e eventeve sportive, të përmbushin këto përgjegjësi ligjore.
Në të kundërt, do të merren masa të ashpra për të penalizuar jo vetëm shkaktarët e akteve të dhunës, por edhe përgjegjësit për mos-marrjen e masave që parandalojnë përshkallëzimet e ngjarjeve me pasoja.