Presidenti Meta hap garën mes gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese. Me përfundimin e mandatit 9-vjeçar që do të mund të ushtrohej nga ish-gjyqtarja e kësaj gjykate Altina Xhoxhaj, do të duhet të plotësohet vendi i mbetur bosh pas shkarkimit të saj.
Vakanca do të krijohet më 25 maj 2019. Afati i paraqitjes së kërkesës me dokumentacionin e nevojshëm, është brenda datës 25 mars 2019. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese mund të dorëzohen me postë ose drejtpërsëdrejti në ambientet e Presidencës, në adresën: Institucioni i Presidentit të Republikës, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 1 Tiranë, Kodi Postar 1001.
Çfarë dokumentesh duhen paraqitur pranë Presidencës:
– Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant të shpallur;
– Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (adresë, numër telefoni/e-mail);
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
– Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit, është i publikuar në faqen kryesore të Institucionit të Presidentit të Republikës.
– Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, formular ky i cili është i publikuar në faqen kryesore të Institucionit të Presidentit të Republikës.
– Listën e dokumentacionit që dorëzohet bashkëlidhur kërkesës të nënshkruar nga aplikanti.
Kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese|:
Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:
- a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
- c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
- d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
- dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:
- a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
- b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
- c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:
- a) vjetërsisë në profesion;
- b) përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
- c) kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
ç) treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
- d) ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
- dh) informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.