Në konferencën e përbashkët për mediat me presidentin shqiptar Ilir Meta, presidenti slloven Borut Pahor foli për çështjen e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur nga gazetarët për qëndrimin e tij, Pahor tha se nuk ishte dakord për ndryshim kufijsh vetëm për hir të plotësimit të kritereve nacionale. Për më tepër ai tha se nëse do kryhet një akt i tillë duhet patur kujdes që të mos kalojë në konflikt e në efekt domino.
“Qeveria sllovene ka një qëndrim të frenuar për këtë çështje. Unë kam marrë kurajo të jem pak i drejtpërdrejtë lidhur me mundësinë që të keni një zgjidhje paqësore të krizës në favor të paqes.
Unë kam thënë se jam i hapur edhe për këtë variant, nëse të dy shtetet e ofrojnë një mundësi dhe mbështetin një mundësi të tillë. Nëse një proces do të menaxhohet me kujdes në bashkëpunim me BE dhe faktorë të tjerë me ndikim që do të garantojnë që një akt i tillë i guximshëm mos kalonte në konflikt dhe me kushtet që kjo mos kuptohet si efekt domino që do të sillte dëme.
Nuk jam mbështetës i ndryshimit të kufijve për të plotësuar kriteret nacionale. Bëhet fjalë për korreksione të kufirit që do ti mundësojnë dy shtetet që të lidhin marrëveshjet dhe njohjen reciproke diplomatike.”, tha Pahor.
Presidenti Meta nga ana tjetër tha se për dialogun me Serbinë i takon vetëm Kosovës të vendosë dhe bëri thirrje që Shqipëria të mos ndërhyjë.