Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali ndan me shqiptarët “arritjet” e Samitit 670 milionësh


Samiti i Dytë i Diasporës këto ditë është shndërruar në një nga aktivitetet më të kritikuara të qeverisë Rama.

Me një kosto prej 670 milionë lekësh, ai është parë thjesht si një rast i zhvatjes, sesa si një samit që prodhon rezultate konkrete.

E gjetur nën këtë sulm, Rama ka vendosur, që nëpërmjet ministres e njëkohësisht zëdhënëses Elisa Spiropali, të publikojë disa nga ato që i quan “rezultate konkrete”.

“Përveçse një mundësi e shkëlqyer për t’u takuar dhe për t’u bërë bashkë rreth sfidave të përbashkëta, ky Samit prodhoi një numër rezultatesh konkrete, të cilat dëshirojmë t’i ndajmë me ju.”, thotë Spiropali.

Po çfarë prodhoi, sipas tyre?

“Së pari, një hap shumë i rëndësish​ëm përpara u hodh në kuadër të së drejtës së votës për emigrantët…U nënvizua po ashtu domosdoshmëria e zbatimit konkret të së drejtës së votës në Kosovë,…Një tjetër hap i rëndësishëm është hedhur në drejtim të modelit të ri ekonomik, i cili parasheh për diasporën një rol të ri shumë më aktiv, duke zëvendësuar modelin e remitancave që financojnë në masë të madhe konsumin e familjeve të mbetura pas, e shumë pak më shumë të tjera për investime të qenësishme dhe të rëndësishme për zhvillimin e vendit…Me përfaqësues të biznesit shqiptar në Gjermani, u diskutua për nismën e fundit që biznesi shqiptar në rajon dhe qeveritë e Kosovës e Shqipërisë po ndërmarrin, atë të krijimit të Dhomës së Biznesit të Diasporës…Një tjetër projekt madhor që është në rrugën e realizimit është themelimi i Bankës së Diasporës…Për herë të parë, kemi emëruar një Koordinator Shtetëror për Negocimin e Marrëveshjes së Pensioneve…Për herë të parë, kemi një Koordinator Shtetëror për kalendarin e përbashkët të aktiviteteve që promovojnë imazhin, bukuritë natyrore, vlerat historike, kulturën, gjuhën, apo traditat tona nëpër botë…Një risi, po ashtu krijimi i rrjeteve të profesionistëve që kontribuojnë dhe funksionojnë në mënyrë konkrete, si rrjeti i avokatëve në Itali, …Në mbrëmjen gala u lançua dhe projekti i ri prestigjioz i Muzeut të Diasporës…Për herë të parë, nën drejtimin e kësaj qeverie, Shqipëria ka një Strategji Kombëtare për Diasporën, një strategji e bashkërenduar edhe me Kosovën …”, liston zëdhënësja e Ramës.

Në fund, nuk ka se si mos të kemi edhe një perlë nga goja e ministres Spiropali: gjysma e shqiptarëve janë integruar në BE.

“Në Shqipëri, përditë flasim për integrimin e vendit, por harrojmë që gati gjysma e bashkatdhetarëve tanë janë tanimë të integruar në vendet e Bashkimit Europian, apo vendet më të zhvilluara të botës, duke dëshmuar historitë e tyre të jashtëzakonshme të suksesit.

Qëllimi i këtij Samiti, si dhe të gjithë politikave tona disavjeçare për diasporën janë që gjithë këto energji të bëhen bashkë, për të bërë të mundur që vendi ynë të ecë sa më shpejt dhe më i sigurt në rrugën e tij të zhvillimit, të integrimit dhe të emancipimit.”, e mbyll ajo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *