Gazetari Elio Laze ka deklaruar se bashkëshortja e tij, Ira Vejsiu, është kontaktuar nga një deputet i Partisë Socialiste, i cili i ka bërë një ofertë të majme vetëm për të pranuar mandatin.
Ira Vejsiu është kandidate e LSI-së për Tiranën, e 21-ta në këtë listë dhe Laze tha se pavarësisht se oferta ishte e majme, ajo e ka refuzuar.
Ky është rasti i parë konkret për të cilin maxhoranca denoncohet publikisht, se po josh kandidatët e opozitës të pranojnë mandatet.
“Sipas procedurave që po ndiqen prej bashkëshortes sime Ira Vejsiu, do t’i vijë radha për t’u thirrur nga KQZ. Ajo është e 21-ta në listën e kandidatëve të LSI për Tiranën. Por problem nuk është kur thërret KQZ-ja por kur thërret PS-ja. Sepse është hapur merkatoja. Si familje kemi pasur një ofertë jo më larg se dje. Jemi kontaktuar nga një person që në rastin në fjalë është deputet, por unë nuk po e bëj publik tani emrin. Dhe kanë bërë një ofertë të këndshme jo për të kaluar me Partinë Socialiste por thjesht për të pranuar që të marrë mandatin e deputetes. Është ofertë për të pranuar mandatin. Por unë deklaroj publikisht që bashkëshortja ime nuk do ta pranojë këtë mandat”, tha Laze.