Ka nisur protesta e opozitës nën thirrjen: “E duam Shqipërinë pa Edi Ramën”. Njëkohësisht ka nisur edhe seanca plenare në Kuvend. Pas Vasilika Hysit e cila po drejton seancën plenare në vend të Gramoz Ruçit, fjalën e ka marrë kryeministri Edi Rama.
Sakaq protestuesit që ndodhen jashtë Kuvendit janë mirëpajisur me maska për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës i policisë dhe me kova me tymuese, sikurse shihet edhe në fotot e mëposhtme.
Policia e ka rrethuar Kuvendin me hekura ndërsa ka bllokuar edhe pjesën e pedonales, që nga Galeria e arteve deri te Ministria e Brendshme.
Qytetarët nuk lejohen të kalojnë lirshëm në këtë zonë, dhe u kërkohet të tregojnë kartat e identitetit.
Policia nuk lejon as gazetarët dhe kameramanët që t’i afrohen godinës së Parlamentit, përtej kangjellave të vendosura që herët në mëngjes.
Pak para nisjes së protestës, të gjitha shtyllat rreth Kuvendit të Shqipërisë në të cilat janë vendosur kamera me rezolucion të lartë, janë lyer me graso.
Kjo për të shmangur ngjitjen e protestuesve në to për t’i thyer. Kamerat me rezolucion të lartë janë vendosur që në fundjavë në shtyllat që ndodhen pranë Kuvendit, me qëllim për të fiksuar momentet gjatë protestës dhe për të identifikuar protestuesit. Mësohet se në godinat e larta që ndodhen para Parlamentit, janë vendosur në gatishmëri edhe snajpera.
Garda dhe policia kanë rrethuar me rrjeta teli dhe godinën e kryeministrisë, për t’i paraprirë ndonjë zhvendosje të mundshme./Hashtag.al