Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kryemadhi, ka deklaruar se qeveria e Ramës përfaqson krimin dhe drogën dhe se ajo nuk e merr dot peng vendin dhe të ardhmen e tij.
Ajo përmendi të gjitha dështimet e Ramës si kryeministër ndërsa shtoi se kreu i qeverisë e urren vendin dhe shqiptarët.
“Ata përfaqësojnë mostrat e krimit të organizuar, shërbëtorët e trafikut të drogës, deri te argatët e tradhtarëve, të antishqiptarëve që ndodhen aty në Parlament. Ata sot më shumë se kurrë kanë frikë. Ata mendojnë se ne do lodhemi, por nuk kanë bërë një llogari. Sot këtu asnjeri nga ne, nuk përfaqëson parti politike. Sot secili nga ne përfaqëson një familje shqiptare, dy prindër, atë shqiptar që i dhimbset fëmija, shtëpia dhe vendi i tij. Sot ne jemi këtu dhe do të jemi gjithmonë sa herë shushunjat të mblidhen në seanca ne do të jemi këtu. Edi Rama dhe të gjithë patericave të drogës, jo me paratë e drogës, por edhe të gjithë buxhetin e shtetit të përdorësh dhe të gjithë institucionet, antidrogën dhe antikrimin, mos guxo të mendosh se mund ta marrësh peng këtë popull, mos kujto se je më i fortë se populli, Edi Rama si trim që është nuk është në Parlament, i ka hipur avionit dhe ka ikur, por po lë viktimat e radhës të përplasen me qytetarët, po lë shërbëtorët apo të kapurit peng që të përballen me qytetarët.” – tha Kryemadhi.
Ajo shtoi më tej se opozita nuk do lodhej kurrë në kërkesat e saj të drejta ndërsa tha se Rama dështoi në çdo gjë dhe në çdo premtim duke e quajtur kriminel që helmoi popullin e tij.
“Nuk do të lodhemi asnjëherë. Sot dua t’iu them diçka. Rama ka dështuar. Dështoi me politikat e tij. Rama dështoi me vendet e reja të punës, kur i degdisi shqiptarët si emigrantë rrugëve të Europës. Dështoi me taksat e larta. Rama dështoi me Policinë. Dhe turp më të madh nuk ka kur policia pranon vetë që ka shkelur ligjin dhe ka dhunuar qytetarët e saj. Kurrë nuk ka bërë vaki ajo që ka ndodhur në protesta e opozitës. Të helmosh motrat dhe vëllezërit e tu ka dy arsye: një ose je kriminel dhe vrasës, tjetra ose je i çmendur dhe ke hakmarrje për të tjerët. Ky njeri i ka të dyja. Ky njeri ka një problem shumë të madh, nuk e do vendin e tij dhe i urren qytetarët e tij. Ne nuk e urrejmë Edi Ramën. Në na dhimbset Edi Rama. Na dhimbset ai dhe familjarët e tij, të cilët i kanë ngelur në dorë.” – tha Kryemadhi.