Vendosni fjalën kyçe....

Qytetarët nga rrethet nisen drejt Tiranës për protestë


Që prej orëve të para të mëngjesit janë nisur nga rrethet drejt Tiranës në mënyrë të organizuar me qindra qytetarë. Mësohet se ata janë duke udhëtuar me autobusë, furgonë dhe mjete private për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga opozita para Parlamentit.

Protesta e opozitës do të nisë zyrtarisht në orën 10:00 dhe do mbahet në të njëjtën kohë me seancën plenare që pritet të zhvillohet nga mazhoranca, ku veç rendit të ditës pritet të bëjnë betimin dhe katër deputetët nga lista shumëemërore e LSI-së që morën mandatin një ditë më parë nga KQZ.

Ata do futen në seancë plenare në orën 09:30, për të shmangur protestën. Mirëpo një grup protestuesish pritet të mbërrijnë më herët.

Në një prononcim për “Ora News”, kryetari i PD-së Shkodër, Xhevdet Amulli, tha se kërkesat e opozitës së bashkuar janë të njohura tashmë; Largimi i kryeministrit Rama dhe qeveri tranzitore për zgjedhje të parakohshme.

Ndërsa kreu i PD-së në Fier, Luan Baçi, tha: “Sot është ditë e veçantë pasi “refugjatët” (kandidatët  që kanë pranuar mandatin)  që vrapojnë për të hyrë në parlament , është një turp i tyre që shkojne aty. Qytetarët shqiptarë, votuesit nuk do të lejojnë që parlamenti të vijojë punën normalisht pasi nuk është një parlament normal. Protestat do të vazhdojne  sa herë që do të ketë parlament. Absolutisht që do të ketë zgjedhje të parakohshme sepse populli do të votojë për qeverinë që do në pushtet dhe jo qeverinë që vjedh vota”.

Policia ka marrë masat që të angazhojë pothuajse të njëjtin numër punonjësish të rendit, Shqiponjat, FNSH si edhe Gardën e Republikës si me protestën e kaluar, por në ndryshim nga herët e tjera, ka ngritur një kordon me skela përgjatë oborrit.

Garda ka montuar një shkallë e cila pritet të përdoret për hyrje- daljet e deputetëve nga kalaja e Tiranës, ndërsa është vendosur dhe një tel me gjemba në hyrje të parlamentit.

Policia ka montuar dhe kamera sigurie me rezolucion të lartë, të cilat me anë të zmadhimit, do të bëjnë të mundur identifikimin e protestuesve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *