Presidenti serb, Vuçiç, e ka lënë të hapur mundësinë e njohjes së Kosovës, por ka kërkuar për këtë diçka në këmbim ndaj Beogradit.
Në një deklaratë për agjencinë italiane të lajmeve, “ANSA”, Vuçic ka pohuar se mundësia për një marrëveshje ekziston, por kjo mund të arrihet nëse pala tjetër ka vullnet dhe është e gatshme të japë diçka në këmbim, raporton Lajmi.net.
“Para së gjithash ekziston mundësia për kompromis. Nuk mund ta njohim Kosovën e të mos fitojmë diçka nga pala tjetër.” – ka thënë Vuçiç.
Ai ka thënë më tej se çështja e ndryshimit të kufijve është një temë e debatueshme ndërsa ka mohuar se ka pasur takime sekrete me presidentin e Kosovës, Thaçi, për sa i përket asaj që pretendojnë media se dy liderët janë takuar për të vendosur një projekt-marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës.
Vuçiç ka ritheksuar edhe njëherë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të vazhdojë për aq kohë sa Prishtina nuk do e heqë taksën 100% ndaj mallrave serbe.