Vendosni fjalën kyçe....

Sot opozita proteston, policia rrethon Parlamentin me hekura (FOTO)


Sot do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës përpara Parlamentit. Partia Demokratike nuk ka siguruar lejen e policisë për këtë protestë, pasi kjo e fundit beson se tubimi pengon hyrjen në Kuvend të deputetëve, vë në rrezik jetën e deputetëve dhe cënon sigurinë kombëtare.

PD nga ana tjetër e akuzon policinë se po shkel Kushtetutën dhe se në asnjë prej protestave të zhvilluara nuk janë dëmtuar policë. Ndaj kanë paralajmëruar se protesta do të zhvillohet edhe pa leje. 

Ndërkohë që para parlamentit opozita dhe qytetarët do të protestojnë, deputetët socialistë kanë vendosur që të zhvillojnë seancën plenare në Kuvennd.

Mësohet se maxhoranca ka kërkuar nga Ministria e Brendshme të garantojë sigurinë fizike të deputetëve, kjo pas incidentit të ministrit të Turizmit Blendi Klosi dhe deputetit Paulin Sterkaj në protestën e javës së shkuar.

Me paralajmërimin e opozitës se protesta do të zhvillohet gjithsesi dhe me kërkesën e maxhorancës, policia ka marrë masat që të angazhojë pothuajse të njëjtin numër punonjësish të rendit, Shqiponjat, FNSH si edhe Gardën e Republikës, por në ndryshim nga herët e tjera po sheh mundësinë që për të rritur sigurinë e deputetëve dhe parlamentit, të krijojë një kordon me skela përgjatë oborrit.

Policia ka njoftuar se ka informacion se një pjesë e protestuesve kanë marrë masat për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës dhe në rast se kjo formë nuk do të funksionojë për të shpërndarë turmën, atëherë do të veprohet me autobotet me ujë. Këta mund të hedhin ujë me presion deri në 100 metra.

Sipas protokollit, autobotet do të përdorin ujë me ngjyrues për të bërë të mundur identifikimin e protestuesve.

Po ashtu, para Parlamentit, janë vendosur edhe kamera me rezolucion të lartë për të regjistruar dhe identifikuar protestuesit. 

Ish-deputeti i Shkodrës Bardh Spahia nga ana tjetër, ka publikuar disa foto ku shihet teksa Parlamenti është rrethuar në orët e vona me bordura hekuri./Hashtag.al

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *