Ish-ambasadori amerikan Alexandër Arvizu ka deklaruar se ndërkombëtarët ndihen të frustruar me situatën në vend, ashtu sikurse edhe shqiptarët.
Në një intervistë për gazetarin Muhamed Veliu në “Top Channel”, Arvizu është shprehur se Rama mund të kishte bërë më shumë për popullin.
“Mendoj se Qeveria Rama mund të bënte më shumë në aspektin e të dëgjuarit të popullit”, thotë Arvizu, sipas të cilit qeverisja e Ramës ka pasur zhvillime pozitive, por ka pasur edhe zhgënjime, siç është rasti i skandalit me Unazën e Re.
Pasi shprehu rezervat e veta ndaj opozitës dhe idesë së djegies së mandateve, Arvizu pranoi se edhe taktika të tilla janë të nevojshme herëpashere.
“Të kthehem edhe njëherë te ajo ideja e “djegies së mandateve”, mendoj se, duke marrë parasysh specifikat, është diçka e re, por në aspektin e taktikës së përgjithshme, nuk është aspak e re. Cili është ndryshimi midis djegies së mandatit dhe organizimit të një bojkoti apo të vendosjes se një çadre përpara Kryeministrisë? Janë thjeshtë taktika konfrontuese. Në disa raste, edhe këto janë të nevojshme, por duket sikur situata po përsëritet herë pas here, dhe prandaj, siç e përmenda edhe më parë, populli është i sfilitur dhe i dëshpëruar. Mendoj që edhe ndërkombëtarët janë disi të frustruar. Por, ne kemi interes për Shqipërinë që shkon përtej marrëdhënieve dypalëshe.”, tha Arvizu.