OMONIA ka reaguar pas vendimit të Grigor Karamelos për të qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, si deputet.
Përmes një deklarate për mediat, Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek (OMONIA), sqaron se vendimi i KAramelos është personal, duke u distancuar publikisht nga përplasja e tij me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule.
Sipas OMONIA-s, vendimi për të djegur mandatet është një akt politik serioz, por i nevojshëm për vendosjen e demokracisë në vend.
“Sqarim lidhur me vendimin individual të anëtarit tonë të zgjedhur në forumet drejtuese të Organizates, z. Grigor Karamelo, për të pranuar mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Me qëllim shmangien e çfarëdo pështjellimi të padëshiruar në referencë të zgjedhjes personale dhe vendimit individual të anëtarit tonë të zgjedhur në forumet drejtuese të Organizatës, z. Grigor Karamelo, për të pranuar pozicionin e deputetit të listës së Partisë Demokratike, sqarojmë se për këtë nuk pati dhe nuk ka asnjë dakordësi miratuese nga ana e organeve institucionale të OMONOIA-s. Bëhet fjalë për një vendim individual dhe respektive janë edhe konsekuencat dhe përgjegjësitë politike.
BDMEG OMONOIA, duke miratuar dhe mbështetur vendimet politike të PBDNJ-së, sikundër ato shprehen nga Kryetari i saj, çmon se heqja dorë nga mandatet parlamentare të anëtarëve të Kuvendit të opozitës, përbën me të vërtetë një akt politik tejet serioz, por ndërkaq, adekuat me synim rehabilitimin e rendit politik dhe funksionimit normal të procesit të demokracisë në vend. Si Minoritet Etnik Grek kemi arsye thelbësore të jemi në atë anë të shoqërisë që kërkon përmirësime esenciale të mënyrës së të ushtruarit të qeverisjes, mirëfunksionimin e drejtësisë, luftimin e varfërisë dhe kryesisht përshpejtimin e reformave që hapin rrugën e procedurave integruese të Shqipërisë në BE.”, thuhet në njoftim.
Karamelo, i cili bënte pjesë në listën e PD-së në zgjedhjet e 2017-ës, ka dorëzuar dje formularin e dekriminalizimit në KQZ, ku kërkon mandatin e deputetit.
Ai ka deklaruar nga Korça, se parlameni nuk duhet braktisur ndërsa ka komentuar se nuk ndan të njëjtin mendim me Vangjel Dulen për djegien e mandateve.
“Jam i detyruar ta pranoj mandatin për qytetarët. Me Dulen nuk jam dakord për dorëzimin e mandatit. Në kushte të tjera Dule do vepronte si unë, por nga pozicioni që ka e justifikoj qëndrimin e tij. Nuk duhet të braktiset parlamenti. Mandati u takon atyre që kanë dhënë kontribut.” – ka thënë Karamelo, i cili është një nga 5 kandidatët për deputet deri tani që kanë hedhur hapin për t’u bërë pjesë e parlamentit.