Vendosni fjalën kyçe....

Nik Gjeloshaj pas fitores në Tuz: Sfidat që kemi para


Pas fitores në komunën e Tuzit në Mal të Zi, kryetari i sapozgjedhur Nik Gjeloshaj ka deklaruar se gjendet përballë sfidës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat e rinj.

“Ne, u angazhuam me përkushtim që pasi fituam komunën e plotë, të administrojmë vetë me të mirat që disponojmë dhe bashkërisht me qytetarët e Tuzit dhe të Malësisë, të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe më premtuese, sidomos për brezat e rinj. Të gjendur përball kësaj sfide, vepruam në drejtim të unifikimit të spektrit politik shqiptar në këto hapësira. Iniciuam bisedimet dhe ia arritëm që të bashkojmë forcat të bindur se kjo është rrugëtimi më i sigurt drejtë fitores së shumëpritur”, ka thënë Gjeloshaj në një intervistë ekskluzive për gazetën ‘Evropë’.

Sipas tij, shqiptarët në Tuz, kanë rikthyer vetëbesimin dhe shpresën për të ardhmen në trojet e veta.

Ndër të tjera, Gjeloshaj është zotuar se nuk do të kursehet në asnjë moment për të kontribuuar në ruajtjen dhe përçimin e vlerave kombëtare, ndërsa ka folur dhe për sfidat që e presin.

“Vullneti i dëshmuar në zgjedhjet lokale, dëshira për të instaluar një pushtet shqiptar në krye të komunës të bindur se kjo duhet të jetë e ardhmja jonë, janë sfidat që duhet përballur por, edhe për të realizuar pikësynimet tona programore. Aq më parë pasi përgjegjësia bie mbi ne, sepse ne ishim ata që iu qasëm punës me përkushtimin më të madh në sensibilizimin e opinionit shqiptar, jo vetëm në trevën e Tuzit dhe të Malësisë”, janë fjalët e kryetarit të komunës së Tuzit.

Për herë të parë pas 62 vjetësh banorëve të Tuzit, u jepet mundësia të qeverisin të pavarur nga Podgorica zyrtare. Koalicioni i tri partive kryesore politike shqiptare, i udhëhequr nga Nik Gjeloshaj, ka fituar zgjedhjet duke marrë 16 mandate, duke bërë që kjo të jetë komuna e parë që udhëhiqet nga shqiptarët në Mal të Zi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *