Vendosni fjalën kyçe....

Prokurori i Geronit/ Genc Qana me 3 apartamente e 5 makina, dhurata mijëra euro


Prokurori i Tiranës, Genci Qana, rezulton një prej zyrtarëve më të pasur në sistemin e drejtësisë, referuar të dhënave të vetëdeklaruara prej tij në formularët e pasurisë.

Ai rezulton të jetë pronar i tre apartamenteve, 4 makinave, si edhe ka marrë dhurata nga vjehrri i tij, pasuri të paluajtshme që llogariten në vlerën e rreth 120 mijë eurove.

Në deklaratën e pasurisë, dorëzuar për herë të parë në vitin 2004, prokurori Qana, i cili në atë kohë ushtronte funksionet pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, deklaron se ishte pronar i një apartamenti 2+1, blerë në vitin 2001, me vlerë 2 milion lekë të reja. Në vitin 2011, Qana, i cili ishte prokuror në Tiranë, si edhe bashkëshortja e tij, gjithnjë sipas deklaratës së pasurisë, blejnë një tjetër apartament me sipërfaqe 84 m2, me vlerë 28 mijë euro. Për të dy këto apartamente, prokurori Qana deklaron se ka shpenzuar kursimet e krijuara ndër vite nga puna e tij dhe e bashkëshortes.

Në vitin 2012, prokurori Qana rezulton me fat të madh. Ai përfiton dhuratë nga vjehrri i tij një apartament me sipërfaqe 116 m2. Vlera e këtij apartamenti të dhuruar arrin në vlerën e 13.5 milionë lekëve të reja (rreth 100 mijë euro).

Pra, nga viti 2001 deri në vitin 2012, prokurori Qana rezulton pronar i tre apartamenteve, 2 prej të cilëve të blerë prej tij dhe i treti, me sipërfaqe më të madhe se dy të parët, i dhuruar.

Krahas apartamenteve, prokurori Qana rezulton të jetë edhe “koleksionist” automjetesh. Në deklaratën fillestare të pasurisë, dorëzuar në vitin 2004, Qana deklaron se ka në pronësi automjetin tip Vloksvagen Jetta, të cilin e ka blerë 200 mijë lekë (të reja).

Në vitin 2004, familja e prokurorit Genc Qana shtohet edhe me dy automjete të tjera-një Volksvagen Golf 3, me vlerë 500 mijë lekë (të reja), si edhe një Fiat Panda, me vlerë 70 mijë lekë (të reja).

Mesa duket, prokurori Qana nuk është mjaftuar me pronësinë e 3 automjeteve. Në vitin 2012, ai blen një tjetër, një Ford Focus, me vlerë 14.900 euro. Një vit më pas, në 2013, bashkëshortja e tij blen një tjetër automjet, një Fiat Punto, në vlerën 150.000 lekë.

Nga një analizë e deklaratave të pasurisë së prokurorit Qana nga viti 2003 deri në vitin 2016, të publikuara në portalin “Opendata.al”, nuk rezulton që ai ose bashkëshortja e tij të kenë shitur ndonjë prej këtyre 5 automjeteve të renditura sa më lart.

Krahas apartamenteve dhe makinave, prokurori Genc Qana rezulton të jetë me fat edhe sa u përket dhuratave të marra nga familjarët e bashkëshortes.

Në vitin 2012, prokurori Qana dhe bashkëshortja e tij kanë marrë dhuratë nga vjehrri apartamentin e sipërcituar më lart, me sipërfaqe 116 m2, vlera e të cilit është rreth 100 mijë euro.

Së bashku me apartamentin, çifti Qana kanë marrë dhuratë edhe dy garazhde, me sipërfaqe 18m2 dhe 21 m2, vlera e të cilëve në total llogaritet në rreth 3 milionë lekë të reja.

Gjithashtu, prokurori Qana, ka marrë si dhuratë edhe një shumë prej 4 mijë dollarë cash, të cilat, së bashku me disa kursime të tijat, si edhe një hua pa interes në vlerën 5 mijë euro, i ka përdorur për blerjen e automjetit Ford Focus, me vlerë 14.900 euro.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale  Bold News


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *