Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë së Tiranës, për të marrë si të pandehur ish-deputetin Ervin Salianji, për çështjen “Babale-Xhafaj”.
Për PD-në ky vendim nuk ka ardhur aspak si surprizë.
“Prokuroria nuk zhgënjeu dhe sot, kur zyrtarizoi vendimin politik të Edi Ramës për marrjen të pandehur të Ervin Salianjit. Asnjë surprizë nuk ka në këtë vendim, ku i akuzuar është denoncuesi dhe jo ai që bën krimin.
Denoncimi i Partisë Demokratike faktoi përfshirjen në trafik droge të vëllait të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe mbështetjen që i siguronte ai nga funksioni publik. Falë këtij denoncimi:
- Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, nuk vazhdon të merret më trafik droge, por është në burg në Itali për trafik ndërkombëtar droge.
- Fatmir Xhafaj u shkarkua si Ministër i Brendshëm, duke mos përdorur më pushtetin e tij politik për të favorizuar të vëllain në trafik droge.
- Taulant Balla dhe Ardi Veliu u faktuan si manipulatorët e çeshtjes, duke fabrikuar prova e dëshmitarë, me qëllimin e vetëm mbojtjen e Ministrit të Brendshëm dhe vëllait të tj trafikant droge. “, thuhet në njoftimin e PD-së.
Kjo forcë politike, e konsideron këtë si një vendim politik nga ana e Prokurorisë, të imponuar nga kryeministri Edi Rama. Sipas PD-së drejtësia i ka duart e lidhura.
“Vendimi politik I Prokurorisë është paralajmëruar nga Edi Rama që ditën e parë të zbulimit të skandalit nga Partia Demokratike. Akti i sotëm dëshmoi, edhe njëherë se, përsa kohë Edi Rama të jetë në Qeveri, drejtësia i ka duart e lidhura dhe krimi i organizuar do të jëtë I paprekshëm.
Edi Rama dhe prokuroria e tij politike nuk do t’ia mbyllin dot gojën opozitës! Partia Demokratike është e vendosur të denoncojë çdo aferë që provon se Qeveria Rama është produkt dhe peng i krimit të organizuar.”, përfundon reagimi i PD-së.
Prokuroria e Tiranës ka marrë si të pandehur sot ish-deputetin demokrat Ervin Slianji, për çështjen e audiopërgjimit Babale-Xhafaj. Salianji akuzohet për kallëzim të rremë. Ai pritet të paraqitet në gjykatë për t’u njohur me akuzën, ditën e premte në orën 09:00.
Veç Salianjit, që ka hequr dorë nga mandati i deputetit, në hetim janë dhe Albert Veliu dhe i afërmi i tij që akuzohet nga maxhoranca se imitoi zërin e Agron Xhafajt, Fredi Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi.