Sot pritet të dalin para gjykatës drejtuesit e klubit të Kamzës që u arrestuan për përleshjen e së dielës në ndeshjen kundër Laçit. Mirëpo, përveç personave që janë përplasur me njëri-tjetrin, në parapurgim po mbahen edhe ata që kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën.
Drejtori sportiv i Kamzës, Andi Matraxhiu, i cili nuk është i përfshirë në goditjen e arbitrit, është arrestuar për të njëjtën vepër penale si ata që u përleshën, edhe pse siç duket në videon e mëposhtme, ai ka ndërhyrë vetëm për të qetësuar palët e konfliktuara.
Edhe pse kjo video ka qarkulluar në të gjitha rrjetet sociale, Prokuroria e Tiranës ende nuk i ka marrë provat filmike.
Matraxhiu sot pritet të njihet me masën e sigurisë.