Vendosni fjalën kyçe....

Ky është biznesmeni që humbi jetën sot në aksidentin e shumëfishtë në Gjilan (FOTO)


Zbulohet identiteti i personit që humbi jetën nga aksidenti i rëndë që ndodhi sot në Gjilan, ku një kamion u përplas me disa makina dhe turmën e njerëzve në trotuar.

Viktima është identifikuar si Qerim Çoçaj. Lajmi është konfirmuar dhe nga furra “Vëllezërit Çoçaj”, në një postim në rrjetin social “Facebook” ku kanë njoftuar se në aksidentin e ndodhur në Gjilan, ka humbur jetën pronari i saj.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët dhe të afërmit tanë që sot nga një aksident tragjik ndërroi jetë Qerim Çocaj, pronari i furrës Vëllezërit Çoçaj, në Gjilan… Krenar gjithë jetën …. Ishe dhe do të mbetesh shembull për të gjithë…”, thuhet në njoftimin.

Deri më tani, në aksidentin zinxhir që ka ndodhur në qendër të qytetit të Gjilanit, raportohet dhe për 16 të plagosur.

Drejtori i spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu ka treguar për gazetën “Telegraf” se 16 persona të aksidentuar janë pranuar për trajtim shëndetësor në këtë spital, ku dy prej tyre janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Mediat në Kosovë raportojnë se një kamion që ka qenë duke lëvizue me shpejtësi është përplasur me disa makina dhe me njerëz që ndodheshin në trotuar, duke i marrë kështu jetën njërit prej tyre dhe duke lënë të plagosur dhjetëra të tjerë.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një problem teknik në sistemin e frenimit të kamionit.

“Jemi në vend të ngjarjes. E konfirmojmë që ka qenë një aksident me pasoja fatale ku për fat të keq një person ka humbur jetën. Ka me dhjetëra e dhjetëra të lënduar, janë në spital të Gjilanit për momentin. Për momentin janë trajtim dhe spitali është mobilizuar dhe gjendja është e jashtëzakonshme. Aksidenti ka ndodhur për shkak të një automjeti transportues. Dyshohet se ka dështuar diçka teknikisht dhe ka humbur drejtimin mbi 300-400 metra duke u përplasur me automjete të ndryshme. Drejtuesi i kamionit nuk ka pësuar lëndime dhe për momentin është duke u mbajtur në stacionin policor”, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku.

Lidhur me ngjarjen e rëndë ka reaguar dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connelli.

 “Mendimet e mia janë me të gjithë të prekurit nga ngjarja tragjike në Gjilan sot, veçanërisht me viktimat dhe familjet e tyre”, ka shkruar O’Connell.

Pas tragjedisë, deputetët e Kosovës i kanë kërkuar qeverisë që t’i dal në ndihmë kësaj komune.

“Nuk e di nëse komuna e Gjilanit ka kapacitete me menaxhu këtë emergjencë tash për tash. E ftoj kryeministrin me dikasterin e shëndetësisë të punëve të brendshme që t’i dal në ndihmë sa më shpejt komunës së Gjilanit, në mënyrë që të tejkalohet ky rast, kjo emergjencë dhe po ashtu i kërkojmë që të jemi pranë familjarëve dhe të gjithë atyre që kanë humbur në këtë tragjedi dhe do t’i dalim në mbështetje me sa mundësi që kemi“, ka thënë deputeti i PDK-së, Zenun Pajazit.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se po e ndjek mnga afër situatën. “Jam dëgjuar më herët me kryetarin e Gjilanit, Haziri, mekanizmat lokal janë veprues, kemi biseduar me gjithë nivelin nacional, përfshirë inteligjencën, sigurinë, emergjencat po edhe njësitë shëndetësore. Situata është në kontroll, në menaxhim, do të vazhdojmë t’iu qëndrojmë afër dhe të përcjellim nga afër këtë gjendje”, janë fjalët e Haradinajt./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *