Arkitekti i njohur, Stefano Boeri, pritet të realizojë në Tiranë projektin e emërtuar “Pylli Vertikal i Tiranës”.
Ideja e tij për një kullë me pyll vertikal në Tiranë ka pasur jehonë në revistën “Dezeen”, ku theksohet se ky arkitekt është i specializuar në ndërtimin e kullave të tilla, të cilat i ka realizuar më parë me sukses në Milano, Utreht dhe Nanjing.
“Pylli Vertikal i Tiranës”, parasheh një kullë me fasadë xhami, që do të ketë bimë të mbjella nëpër ballkonë, për të rritur sipërfaqen e gjelbër në qytet dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit.
Sipas Boerit, kjo do krijojë 550 metra katrorë sipërfaqe të gjelbër në Tiranë, thuhet në artikullin e revistës.
“Bimët thithin dioksidin e karbonit dhe grimcat e pluhurit që ndosin atmosferën e qyteteve, duke nxjerrë oksigjen dhe duke krijuar mikroklima që janë më të shëndetshme për banorët.” – thotë artikulli i “Dezeen”.
Drejtoresha e “Stefano Boeri Architetti” është shprehur: “Ne kemi punuar në fasadë, duke përmbysur idenë në të cilën fasada kryesore e secilës ndërtesë është më e gjata dhe duke hapur plotësisht anën e shkurtër të këtij Pylli Vertikal drejt qytetit”.
Kulla do të jetë 21 kate e lartë dhe do të ketë105 apartamente. Do të përfshijë gjithashtu katër nivele nëntokësore dhe në katin përdhes do të ketë hapësira për dyqane.
Zhvillues i projektit ne Shqiperi eshte kompania “Gener 2”.