Vendosni fjalën kyçe....

Përjashtimi i Kamzës nga Superiorja, Xhelal Mziu: Dënim komunist, do bëjmë kampionatin tonë!


Pas dënimit të klubit të Kamzës ditën e djeshme nga Komisioni i Disiplinës, që e përjashtoi skuadrën nga Superiorja, kryetari i bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu ka reaguar duke e konsideruar këtë si një vendim politik.

“Sapo e pashë vendimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës pranë federatës, mund të them se janë dënime që ua kalojnë edhe atyre të kohës së Enver Hoxhës. Do të shohim në ditët në vazhdim reagimin që do të kemi. Por, me këtë vullnet të Federatës Shqiptare të Futbollit që nuk e do futbollin në Kamzë dhe me këtë qeveri do të shpallim autonominë. Duke qenë se nuk ka një kategori tjetër më poshtë, ne do të krijojmë një kampionat brenda Kamzës dhe ta fillojmë që aty. Jam i sigurt që do të jetë një kampionat më frytdhënës dhe më popullor për Kamzën sesa të vazhdojë kështu. Nuk kam parë ndonjë dënim kaq të rëndë. Shkaktari kryesor i dhunës, që ishte gjyqtari, nuk kishte marrë asnjë dënim, ndërsa skuadra e Kamzës shkon dy kategori më poshtë. Do t’i bëjmë ftesë federatës që ta ulë edhe dy kategori të tjera ose do të dalim më vete. Do krijojmë një kampionat më vete në Kamzë që të mos kemi lidhje fare me federatën”, deklaroi Mziu në një prononcim për “Panorama Sport”.

Mziu foli edhe për lojtarët të cilët kishin një kontratë me klubin. “Besoj se e ka marrë parasysh federata dhe do t’i kompensojë ajo”, tha kryebashkiaku.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *