Prokurorët e Tiranës, Genc Qana e Kolë Hysenaj morën rritje në detyrë sapo ata u caktuan në hetimin e dosjes “Babale”, ku fillimisht ishte i dyshuar për trafik narkotikësh Agron (Geron) Xhafaj.
Me urdhër të kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, por dukshëm nën sugjerimin e “shefes” së madhe, Arta Marku, Genc Qana caktohet zëvendës-drejtues i Akuzës së kryeqytetit.
Prokurori Genc Qana ka qenë edhe më parë në këtë pozicion, në kohën kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Ina Rama, një zyrtare që qëndroi shumë afër Partisë Socialiste kur Edi Rama ishte në opozitë.
Tashmë që në krye të Prokurorisë u emërua Arta Marku, vetëm me votat e Partisë Socialiste, edhe prokurori Genc Qana rikthehet në post drejtues, të njëjtin që i rezervoi edhe Ina Rama rreth 6 vjet më parë.
Ndërsa prokurori Kolë Hysenaj, prokuror prej vitesh në Tiranë, u promovua në mënyrë të çuditshme në postin e drejtuesit të prokurorisë së Korçës nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.
Ish-shefi i Akuzës, Llalla, u kritikua shumë për promovimin e Kolë Hysenajt, mbi të cilin rëndonin akuza publike për përfshirje në korrupsion.
Në vitin 2017, emri i Kolë Hysenajt u përfshi në “listën e zezë” të Edi Ramës, bashkë me 100 zyrtarë të tjerë, për të cilët kishte denoncime nga qytetarët.
Në vijim të këtij publikimi, Hysenaj largohet nga drejtimi i prokurorisë së Korccës dhe rikthehet prokuror i thjeshtë në Tiranë.
Sapo iu atashua në hetimin e dosjes “Babale”, prokurori Hysenaj promovohet, duke marrë detyrën e shefit të Seksionit të hetimit të Trafiqeve.
Pasi morën këto detyra, nëm bekimin e Kryeprokurores së Përkohshme, Qana dhe Hysenaj u impenjuan për të shpëtuar nga problemet penale Agron (Geron) Xhafaj, vëllain e Fatmir Xhafajt, i cili ishte lobuesi kryesor për emërimin e Arta Markut në krye të institucionit qendror të Akuzës.
Në përfundim të hetimeve të nisura për Geronin e Xhafajt, prokurorët e promovuar së fundmi, Genc Qana e Kolë Hysenaj, vendosën të marrin të pandehur personat që denoncuan për vijimin e trafikut të narkotikëve vëllain e ish-ministrit të Brendshëm.
Dyshja e prokurorëve Qana-Hysenaj vendosën të marrin të pandehur për kallëzim të rremë kundër Agron (Geron) Xhafaj; deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, gazetarin Jetmit Olldashi, Alfred Veliun që denoncoi vëllain e Fatmir Xhafaj, si edhe Fredi Alizotin që pretendon se ka luajtur “rolin” e Geron Xhafaj në audio-regjistrimin, ku flitej për trafik narkotikësh nga Shqipëria drejt Italisë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Boldnews.al