Lëvizja “#Metoo” vazhdon. Këtë radhë është senatorja amerikane Martha McSally e cila ka akuzuar një shef të sajin, që ka abuzuar seksualisht me të gjatë kohës kur ajo ishte pjesë e forcës ajrore si pilotja e parë femër në luftë.
Senatorja republikane në Arizona, e ka bërë këtë deklaratë gjatë një seance dëgjimore të mërkurën, ku po diskutohej për përpjekjet e shërbimeve të armatosura për të parandaluar sulmet seksuale, shkruan “The Guardian”.
McSally tha se në atë kohë ajo nuk raportoi se ishte sulmuar seksualisht, për shkak se nuk i besonte sistemit dhe se ndihej e turpëruar dhe e hutuar. McSally nuk e ka zbuluar emrin e oficerit, që e ka përdhunuar.
“Kam qëndruar e heshtur për shumë vite, por më vonë gjatë karrierës time, kur ushtria u përball me skandale, ndjeva nevojën për t’i lejuar njerëzve të dinë se edhe unë isha një e mbijetuar”, tha ajo.
Raportimet mbi sulmet seksuale në ushtri, janë rritur me 10% në 2017-ën.